Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, tha se ekzistojnë “informacione të besueshme zbulimi” se Al-Kaida po planifikon të kryejë një sulm në Shtetet e Bashkuara brënda pak muajsh.
Duke folur dje, zoti Ashcroft tha se informacionet e zbulimit, të cilat ai i cilësoi si “shqetësuese” tregojnë se Al-Kaida synon, siç u shpreh ai, të sulmojnë rëndë Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ai tha se zyrtarët amerikanë nuk kanë informacion për ndonjë objektiv ose plan specifik. Ai tha se objektiva të mundshme përfshijnë takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të grupit të tetëshes, që mbahet në Savanah të shtetit Georgia, kuvendi i partisë demokrate në Boston dhe kuvendi i partisë republikane në New York.
Autoritetet amerikane kanë publikuar fotografitë e 6 burrave dhe një gruaje, që mund të kenë lidhje me veprimtari terroriste.
Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokrate për president, John Kerry, akuzoi presidentin Bush se po e përdor sigurimin kombëtar si mjet fushate. Zoti Kerry shtoi se presidenti ka dështuar t’u japë shteteve dhe komuniteteve fonde të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga një sulm terrorist.
Këto komente ai i bëri ndërkohë që zyrtarë të administratës së presidentit Bush paralajmëruan se Al-Kaida po planifikon të sulmojë Shtetet e Bashkuara brënda pak muajsh.
Zoti Kerry tha dje se presidenti Bush po e përdor sigurimin kombëtar dhe kërcënimin që përbën Al-Kaida si një mundësi për të dalë në publik para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Ndërkohë, ish nën-presidenti Al Gore kritikoi gjithashtu po dje presidentin Bush. Në një fjalim të zjarrtë në Universitetin e New Yorkut, zoti Gore tha se presidenti Bush ka treguar arrogancë dhe politika mizore në Irak.
Ai bëri gjithashtu thirrje për dorëheqjen e zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë sekretarin e mbrojtjes, Donald Rumsfeld, Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice dhe të drejtorit të CIA-s, George Tenet. Zoti Gore i kërkoi audiencës së tij që të votojnë për senatorin Kerry në zgjedhjet e nëntorit.
Sot zoti Kerry ka në plan të mbajë një fjalim mbi sigurimin kombëtar dhe politikën e jashtme në Seattle të shtetit Washington. Ndihmësit e fushatës së tij thanë se fjalimi do të shënojë fillimin e një periudhe 11 ditëshe gjatë së cilës zoti Kerry do të përqëndrohet në idetë e tij mbi Irakun dhe fitimin e luftës kundër terrorizmit.
//ze//