Lidhje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s i kërkon Shqipërisë të përmbushë vlerat demokratike - 2004-05-27


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, nxiti autoritetet shqiptare që të përparojnë në procesin e reformave të një shoqërie demokratike si vazhdim i angazhimit për t’u bërë anëtare e Aleancës. Ai tha gjatë një vizite dyditore në Tiranë se këtu nuk është fjala vetëm për një reformë ushtarake, por për të ngirtur lart vlerat e shoqërisë.

“Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krahas reformave ushtarake dhe anëtarësimit në NATO, për të cilat qeveria ka një angazhim të qartë”- tha zoti Scheffer.

Ai vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse me trupat e saj. “Ne e vlerësojmë shumë pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse. Kjo pjesëmarrje është shenjë që Shqipëria merr përsipër përgjegjësi për paqeruajtje ende pa qenë anëtare e NATO-s, dhe trupat shqiptare po shfaqin atje një shkallë të lartë bashkëpunimi dhe solidariteti më trupat e NATO-s.”- tha zoti Scheffer.

Drejtuesi i lartë i NATO-s diskutoi me autoritetet për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, dhe kërkoi që vendet e Kartës së Adriatikut të bashkëpunojnë më ngushtë për sigurinë e rajonit dhe më gjerë. Ai bëri të ditur se në Samitin e Stambollit vendeve të Kartës së Adriatikut; Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, do t’i jepet një nxitje edhe më e madhe për të plotësuar ambicjet e tyre drejt NATO-s me plane të detajuara veprimi.

Ndërsa kryeministri Fatos Nano, deklaroi se Shqipëria po i përmbush gjithnjë e më shumë vlerat dhe standartet demokratike euro-atlantike. “Karta e Adriatikut, në të cilën Shqipëria bashkëpunon me Maqedoninë dhe Kroacinë, si edhe partneriteti i saj me dy vende të tjera të rajonit, Serbi-Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, mbeten dy instrumenta prioritare për të zgjeruar bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut edhe në kuadrin e Samitit të Stambollit”- tha zoti Nano.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Scheffer përfundoi sot vizitën dyditore në Tiranë pas një serie takimesh me autoritetet shqiptare. Mes tyre, ai mbajti edhe një takim të vecantë me Shoqatën Shqiptare të Atlantikut ku foli përpara një auditori të madh me studentë, diplomatë e ushtarakë mbi rëndësinë e NATO-s dhe vlerat e shoqërisë demokratike.//ii

XS
SM
MD
LG