Lidhje

John Kerry paraqiti planin e tij për politikën e jashtme dhe atë të sigurimit kombëtar - 2004-05-28


Kandidati presidencial i Partisë Demokrate, John Kerry, paraqiti planin e tij për politikën e jashtme dhe atë të sigurimit kombëtar.

Duke folur dje në Seattle të shtetit Washington, senatori Kerry paraqiti 4 parime, që do të drejtojnë planin e propozuar prej tij. Këto parime janë: ndërtimi i aleancave të reja me vendet e tjera; modernizimi i ushtrisë amerikane për të përballur kërcënimet e reja; krijimi i një Amerike të çliruar nga varësia tek nafta e Lindjes së Mesme dhe përdorimi i diplomacisë, zbulimit dhe fuqisë ekonomike amerikane para se të përdoren alternativat diplomatike.

Në një kritikë të dukshme ndaj administratës së presidentit Bush, zoti Kerry e siguroi ushtrinë amerikane se në se zgjidhet president, ai nuk do t’i dërgojë ata kurrë në zona të rrezikshme lufte pa trupa të mjaftueshme për të kryer misionin.

Zoti Kerry tha se presidenti Bush nuk përfilli këshillat e oficerëve profesionistë ushtarakë kur përdori forcën në Irak para se të shfrytëzonte në maksimum të gjitha kanalet diplomatike. Senatori Kerry, premtoi gjithashtu t’i çlirojë Shtetet e Bashkuara nga ajo që ai e quajti “një varësi të rrezikshme tek nafta e huaj.”

Zoti Kerry vuri në pikpyetje në se presidenti Bush mund të sigurojë mbështetjen e botës për transferimin e planifikuar të autoritetit një qeverie të përkohshme irakiane më 30 qershor.

“A do të premtojnë aleatët tanë të dërgojnë trupa në Irak? A do të dedikojnë ata fonde shumë më të mëdha për rindërtimin e atij vendi? A do të angazhohen ata në një përpjekje të vërtetë për të ndihmuar në transformimin e Lindjes së Mesme.”

Një zëdhënës i administratës së presidentit Bush i akuzoi demokratët se luajnë me politikën kur flasin për luftën në Irak. Ai shtoi se qëndrimi i zotit Kerry ndaj luftës kundër terrorizmit “ka qënë plot mos marrje vendimesh dhe pavendosmëri.”

//ze//

XS
SM
MD
LG