Të hënën amerikanët do të kremtojnë ditën e të rënëve. Kjo ditë festohet për nder të burrave dhe grave që dhanë jetën në luftërat e Shteteve të Bashkuara.
Historia e kësaj dite filloi pas luftës civile amerikane në vitet 1860. Kjo ishte ide e së bijës së një oficeri të Unionit i cili ishte vrarë në betejë. Ajo i shkroi një letër një organizate të ushtarëve të cilët kishin shërbyer në armatën e Unionit e përbërë kryeshish nga shtetet veriore të Amerikës të cilët kishin fituar këtë luftë. Ajo përshkroi një traditë gjermane për vënien e luleve tek varret e ushtarëve çdo pranverë. Ajo tha se edhe amerikanët duhet të zbukurojnë varret e ushtarëve në të njëjtën mënyrë.
Komandanti i organizatës së ushtarëve ra dakord dhe dha urdhër që 30 maji i vitit 1868 të shpallej Dita e Zbukurimeve, për të nderuar ushtarët të cilët ishin vrarë në luftën civile.
Dita e Zbukurimeve fitoi popullaritet dhe shpesh quhej edhe dita e të rënëve. Kjo ditë festohej edhe në disa shtete të jugut.
Nju Jorku ishte shteti i parë që e shpalli këtë ditë festë shtetërore në vitin 1873 dhe Kongresi e shpalli festë kombëtare në vitin 1888. Pas luftës së parë botërore, dita e të rënëve u shndërua në një ditë për të kujtuar të gjithë ata që dhanë jetën në luftërat e Shteteve të Bashkuara.
Sot amerikanët e festojnë këtë ditë në mënyra të ndryshme. Qytetet në mbarë Amerikën organizojnë parada në fundjavën e Ditës së të Rënëve. Shumë njerëz marrin pjesë në manifestime të ndryshme ku mbahen fjalime dhe koncerte. Njerëzit e kalojnë kohën e ngrohte të pranverës me familjet e tyre. Ata organizojnë pikniqe, shkojnë në pishinë ose mblidhen me miqtë.
Disa njerëz vijnë në Uashington për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e kësaj dite. Këtë fundjavë shumë njerëz nga mbarë vendi janë në Uashington për të kremtuar hapjen e Monumentit të Luftës së Dytë Botërore.
//ze//