Lidhje

Jaap de Hoop Schefer: pranimi i Bosnjes në Partneritetin e Paqes varet nga bashkëpunimi me gjykatën e Hagës - 2004-05-29


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Schefer tha se mundësitë e Bosnjes për tu pranuar në Partneritetin e Paqes të aleancës varen nga bashkëpunimi i plotë i këtij vendi me gjykatën e krimeve të luftës së Kombeve të Bashkuara.

Zoti De Hoop Scheffer i bëri këto komente dje në Sarajevë pas bisedimeve me anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Ai la të kuptohej më parë këtë javë se Bosnja duhet të presë deri pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Turqi në fund të qershorit para se të ftohet për të marrë pjesë në Partneritetin e Paqes.

NATO-ja ka insistuar që të dyshuarit më të kërkuar për krime lufte, ish udhëheqësi i Serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe udhëheqësi i tij ushtarak Ratko Mladiç duhet t’u dorëzohen gjykatës së Hagës. Gjykata i ka akuzuar ata për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të Bosnjes në vitet 90-të.

Programi i Partneritetit të Paqes ofron bashkëpunim të NATO-s me vende jo anëtare pa u dhënë atyre garanci të sigurisë nga aleanca. Zoti De Hoop Scheffer qëndroi në Sarajevë pas vizitave që bëri në Kroaci, Shqipëri dhe Maqedoni.

//ze//

XS
SM
MD
LG