Lidhje

Veteranët e Hollivudit interpretojnë në një koncert për Ditën e të Rënëve - 2004-05-29


Të hënën është dita e të rënëve, kur amerikanët nderojnë ata që shërbyen në ushtri dhe dhanë jetën në luftë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan njofton se një koncert të dielën në Washington do të përfshijë disa veteranë të Hollivudit, njëri nga të cilët ka marrë pjesë në ditën e çlirimit nga pushtimi gjerman.

60 vjet më parë më 6 qershor të vitit 1944, trupat aleate u ulën në Normandi të Francës së pushtuar nga nazistët. Aktori Charles Durning ishte një nga ushtarët.

“Isha tërë kohën i frikësuar. Reshteri im më pyeti nëse kisha frikë dhe unë iu përgjigja, Po. Është mirë të kesh frikë, mu përgjigj ai, të gjithë kemi frikë”.

Mijëra trupa aleate u plagosën ose u vranë gjatë uljes. Pushtimi edhe pse i kushtueshëm, shënoi një pikë kthese në luftë dhe hapi rrugën për një fitore të aleatëve ndaj nazistëve.

Koncerti i Ditës Kombëtare të të Rënëve do të transmetohet nga televizionet publike nga kopshti perendimor i ndërtesës së kongresit. Aktorët Tom Hanks dhe Ossie Davis do të jenë të pranishëm. Zoti Davis ashtu si zoti Durning është veteran i Luftës së Dytë Botërore.

Orkestra kombëtare e Simfonisë do të luajë pjesë me artistë të ftuar përfshi muzikantët Alison Kraus, Brad Paisley dhe Joshua Bell.

Aktori Joe Mantegna do të dalë së bashku me Jason Ritter, aktori i ri në një dramë televizive. Zoti Mantegna do të lexojë fjalët e një veterani amerikan që humbi këmbët në luftën e Vietnamit ndërsa Ritter do të lexojë fjalët e një veterani nga Lufta e Irakut.

Charles Durning ka marrë disa medalje si hero i Luftës së Dytë Botërore. Ai thotë se për ata që mbijetuan betejat e ashpëra, tmerri i luftës le një shenjë të madhe. Por ai gjithashtu kujton heroizmin e atyre që humbën jetën. //kk//

XS
SM
MD
LG