Lidhje

Pas 60 vjetësh, veteranët e Luftës së Dytë Botërore marrin nderimin për sakrificat e tyre - 2004-05-30


Afro 60 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, veteranët e kësaj lufte kanë një përmendore në Washington. Dhjetra-mijëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, u mblodhën të shtunën në Parkun qendror të Washingtonit për përurimin e përmendores së shumëpritur, që nderon betejën e tyre të madhe.

Shumë nga veteranët ecnin me bastun. Të tjerë ishin në karrige me rrota. Disa vallëzonin kur muzika e viteve 1940 përhapej mes të pranishmëve. Të rinjtë shkonin tek të moshuarit dhe i falenderonin.

Presidenti George W. Bush e quajti përmendoren e Luftës së Dytë Botërore nderimin e duhur, të hapur dhe të gjerë si vetë Amerika.

“Ne e pranojmë se ky është një detyrim që ne kishim prej kohësh ndaj një brezi të tërë amerikanësh. Atyre që humbën jetën, atyre që luftuan dhe punuan dhe derdhën lot, por vazhduan të ecin përpara. Ata shpëtuan vendin tonë, duke shpërtuar kështu lirinë e njerëzimit”.

Ai foli para mijëra veteranëve që kanë mbetur gjallë, si edhe autoriteteve të tjera të larta përfshirë Ish-presidentët Bush dhe Clinton. Në ceremoni merrte pjesë edhe aktori Tom Hanks:

“Kundër armiqve që besonin se nga ana gjenetike, racore, fetare dhe institucionale ishin superiorë ndaj gjithën të tjerëve në botë, këta amerikanë dhe aleatët e tyre, me një betejë që zgjati 45 muaj kundër konceptit se mund të ekzistojë epërsia morale, provuan se një gjë e tillë ishte jo vetëm e gabuar, por një çmenduri. Ata amerikanë jashtë dhe brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, shumë prej jush që jeni këtu sot provojnë se morali i vërtetë njerëzor mund të tregohet vetëm me vepra, sakrifica dhe më në fund me mëshirë”.

E shtrirë në tre hektarë, përmendorja e Luftës së Dytë Botërore u ndërtua me shpejtësi, sapo Washingtoni mori vendimin për ngritjen e saj. Veteranët janë në të shtatëdhjetat dhe tetëdhjetat. Shumë prej tyre shprehën keqardhjen që nderimi ndaj luftës së tyre u bë kaq vonë, kur shumë nga shokët e tyre kanë vdekur.

“Shumë prej tyre kanë vdekur dhe nuk arritën ta shohin. Nuk e di ç’mund të ishte bërë, por duhej të kishte filluar përpara”.

Ideja për përmendoren u dha para afro dy dekadash, por vetëm në vitin 1993 Kongresi autorizoi ngritjen e saj. Kritikët thanë se forma e saj e shtrirë do të prishte pamjen e shëtitores që vizitorët shijonin në parkun kombëtar. Gjykatat e hodhën më në fund poshtë këtë kundërshtim.

Përmendorja përbëhet nga 56 shtylla graniti, secila nga rreth pesë metra e lartë, që përfaqësojnë shtetet dhe territoret amerikane të asaj kohe, përfshirë kryeqytetin Washington DC, si edhe dy harqe gati dy herë më të larta ku shkruhet Atlantik dhe Paqësor, që simbolizojnë dy skenat e luftës. Një mur me 4 mijë yje të artë nderon 400 mijë amerikanët e vrarë.

XS
SM
MD
LG