Lidhje

22 persona, shumica të huaj humbin jetën nga sulmi në Arabinë Saudite - 2004-05-30


Në Arabinë Saudite, zyrtarët thanë se po kërkojnë për ekstremistë të dyshuar të Al-Kaidës, të cilët morën përgjegjësinë për sulmin kundër një kompleksi banimi për të huaj në qytetin Kobar, nga i cili u vranë 22 persona, shumica të huaj.

Një krizë pengjesh në atë kompleks banimi mori fund kur forcat saudite të sigurimit bastisën kompleksin dje në mëngjes.

Agjencia e shtypit zyrtar të Arabisë Saudite njoftoi se autoritetet arrestuan udhëheqësin e grupit, i cili u përshkrua si një prej personave më të kërkuar të mbretërisë saudite. Sipas kësaj agjencie, 3 sulmuesit e tjerë po ndiqen.

Rreth 50 veta po mbaheshin peng në kompleksin e banimit Oasis, kur forcat e sigurimit hynë aty rreth 25 orë pas fillimit të incidentit. Zyrtarët sauditë e vlerësuan lart misionin e shpëtimit, duke e cilësuar si “të suksesshëm.” Lajmet bëjnë të ditur se rreth 25 veta u plagosën gjatë sulmit të ekstremistëve.

Në një deklaratë të botuar në internet, për të cilën thuhet se është lëshuar nga al-Kaida, rrjeti terrorist merr përgjegjësinë për sulmin dhe zotohet se do ta pastrojë gadishullin arabik nga të pafetë.

Në një mesazh të botuar të shtunën në të njëjtën faqe interneti, kompanitë amerikane akuzohen se po plaçkisin pasurinë e myslimanëve që rrjedh nga nafta. Ende nuk është provuar vërtetësia e deklaratës.

Në Washington, zëdhënësi i ambasadës saudite, Nail-al-Jubeir, i tha rrjetit televiziv CNN se sulmuesit shpresonin të dëmtonin ekonominë e Arabisë Saudite, duke sulmuar industrinë e naftës. Ai theksoi se puset e naftës të Arabisë Saudite ruhen shumë mirë dhe janë të sigurta. Ambasadorët sauditë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Britani shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave.

Agjencia e shtypit zyrtar të Arabisë Saudite njoftoi se mes të vrarëve janë 8 shtetas indianë, tre filipinas, tre suaditë, një amerikan, një britanik, dy srilankas, një italian, një suedez, një afrikanojugor dhe një egjiptian.

//ze//

XS
SM
MD
LG