Lidhje

Presidenti Bush kryeson ceremonitë me rastin e Ditës së të Rënëve - 2004-05-31


Tingulli i një trumpete të vetmuar mbushi atmosferën në kodrat e Varrezave Kombëtare në Arlington, ndërkohë që presidenti Bush vendoste një kurorë tek Varreza e Ushtarëve të Panjohur.

Ndërsa Presidenti largohej, një roje ushtarake nderi qendroi në varrezën ku ndodhen eshtrat e tre ushtarëve të paidentifikuar - të cilët simbolizojnë humbjen e Amerikës.

”Ushtarët e ngarkuar të ruajnë varrezën e quajnë këtë një privilegj. Sot, ndërkohë që përkujtojmë burrat dhe gratë e rënë në mbrojtje të Amerikës, të gjithë ne e quajmë privilegj që jemi qytetarë të vendit të cilit ata i shërbyen”, tha Presidenti Bush.

Ai foli mbi kurajon dhe humanizmin e ushtarakëve amerikane. Duke qendruar në këmbë në një një amfiteatër jo larg nga varreza dhe i rrethuar nga radhë të panumërta varresh me emra të rënësh, ai foli për jetët e humbura dhe kujtimin e tyre që nuk do të vdesë kurrë.

”Edhe pse pesha e zisë mund të bëhet më e lehtë, gjithmonë ekziston kujtesa për një kohë të shkuar dhe ndjenja e pikëllimit për një jetë të papërfunduar”, tha presidenti.

Ai foli për kujtime dekadash të kaluara dhe kujtime ende të freskëta. Zoti Bush tërhoqi vëmendjen në veçanti ndaj veteranëve të moshuar të Luftës së Dytë Botërore, që erdhën në Washington për këtë fundjavë të shënuar - si përkushtim ndaj ditës së tyre kombëtare. Presidenti Bush tregoi disa histori amerikanësh dhe amerikanesh të vrara kohët e fundit në Irak dhe Afganistan.

”Ata mbrojtën vendin tonë. Ata çliruan të shtypurit. Ata i shërbyen kauzës së paqes”.

Ai tha se Amerika është e vetëdijshme ndaj borxhit që u ka të rënëve - borxh që është aq i madh sa kurrë nuk mund të shlyhet. Presidenti Bush tha se, Ditën e të Rënëve, ata kujtohen e nderohen nga vendi i tyre me mirënjohje e respekt.

XS
SM
MD
LG