Lidhje

Pakistan: të paktën 16 të vdekur nga shpërthimi i një bombe - 2004-06-01


Shpërthimi i një bombe në një xhami të sektit shi’it në qytetin Karaçi të Pakistanit shkaktoi vdekjen e të paktën 16 personave dhe plagosjen e afro 38 të tjerëve.

Policia thotë se kur ndodhi shpërthimi në xhaminë e Imam Bargah Ali Rizait, besimtarët po kryenin lutjet e mbrëmjes.

Incidenti nxiti trazira në atë zonë të qytetit, ku një turmë e zemëruar u vuri zjarrin dy pikave benzine dhe një makine policie, ndërkohë që thërrisnin parulla kundër qeverisë dhe sllogane fetare shiite.

Zyrtarë pakistanezë thanë se anëtarë të njësive të posaçme policore u përleshën me demonstruesit, duke vrarë të paktën dy prej tyre.

Shpërthimi ndodhi një ditë pasi persona të panjohur vranë në Karaçi klerikun e lartë suni, Muftiun Nizamudin Shamzai.

Nga frika e ndërmarrjes së sulmeve hakmarrëse suni kundër shiitëve, autoritetet pakistaneze përqendruan forca sigurimi përreth xhamive dhe zonave shiite.

Presidenti Pervez Musharaf e dënoi vrasjen dhe tha se do të marrë ato që i quajti vendime kyçe, lidhur me gjendjen në Karaçi.

Vrasja e Myftiut Shamzai ndodhi tri javë pasi një shpërthim vetëvrasës la të vdekur mbi 20 besimtarë në një xhami shiite në Karaçi dhe katër ditë pasi shpërthimi i dy makinave bombë shkaktoi vdekjen e një personi pranë rezidencës së konsullit amerikan.

XS
SM
MD
LG