Lidhje

Bush: Një Irak demokratik do të shërbente si katalizator për përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme - 2004-06-01


Presidenti Bush tha se një qeveri e re kalimtare në Irak do të ndihmojë në udhëheqjen e vendit drejt demokracisë në gjithë Lindjen e Mesme. Presidenti shtoi se trupat amerikane do të vazhdojnë të garantojnë sigurinë për udhëheqësit e rinj të Irakut.

Zoti Bush tha se trupat amerikane nuk do të lejojnë që dhuna të dëmtojë punën e udhëheqjes së re kalimtare të Irakut ndërkohë që ajo përgatitet të marrë pushtetin në fund të muajit.

“Në çdo fazë të këtij procesi, përpara dhe pas kalimit të sovranitetit të Irakut, armiku ka të ngjarë të jetë aktiv dhe brutal. Ata i dinë rreziqet ashtu si edhe ne. Por koalicioni ynë është i përgatitur. Vendosmëria jonë është e patundur. Dhe as udhëheqja e re e Irakut dhe as Shtetet e Bashkuara nuk do të kërcënohen nga banditë dhe vrasës.”

Presidenti Bush tha se zgjedhjet e lira në Irak janë frika më e madhe e terroristëve. Madje zgjedhjet e lira, shtoi presidenti, janë procesi me të cilin terroristët do të përballen me që autoriteti i përkohshëm irakian pritet të mbajë zgjedhjet janarin e ardhshëm.

Zoti Bush u tha anëtarëve të diplomuar të Akademisë Amerikane të Forcave Ajrore se lufta kundër terrorizmit në Irak është sfida e kohës sonë.

“Rreziqet në këtë luftë janë të mëdha. Siguria dhe paqja e vendit tonë është në rrezik. Dhe suksesi në këtë luftë është alternativa jonë e vetme.”

Presidenti tha përsëri se konflikti në Lindjen e Mesme është një përleshje vizionesh politike dhe jo besimesh fetare. Ai u zotua të mbështesë ata elementë që kërkojnë të drejta më të mëdha politike dhe shtoi se vendosja e lirisë dhe demokracisë në Irak do të ndihmojnë në kapërcimin e dëshpërimit dhe ngecjes ekonomike, që nxisin ideologjitë ekstreme, përfshirë terrorizmin e Al-Kaidës.

“Ata presin nga vendet e lira të botës që t’i mbështesin në luftën kundër një pakice të dhunshme, e cila dëshiron të krijojë një të ardhme të errët në gjithë Lindjen e Mesme. Ne nuk do t’i braktisim ata para synimeve të njerzve keqbërës. Ne do t’i mbështesim popujt e atij rajoni ndërsa ata përpiqen të jetojnë në një të ardhme të lirë.”

Zyrtarët amerikanë po bëjnë thirrje për miratimin e një rezolute të re të Kombeve të Bashkuara, duke ndryshuar propozimin e tyre fillestar, e cila nënvizon në mënyrë të qartë kompetencat e qeverisë kalimtare, veçanërisht për sa i përket sigurimit.

Thuhet se projekt-rezoluta e re u jep autoriteteve irakiane kontroll më të madh ndaj forcave policore dhe atyre të sigurimit, ndërkohë që kufizon qëndrimin në Irak të forcës shumë kombëshe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e përbërë nga më shumë se 130 mijë anëtarë.

//ze//

XS
SM
MD
LG