Lidhje

Senatori Kerri është i angazhuar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës - 2004-06-02


James Rubin tha se Kosova është shembull i suksesit të një aleance të gjerë me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara dhe veçanërisht në NATO-s, që ndali spastrimin etnik atje dhe dëboi prej andej forcat shtypëse ushtarake dhe të sigurimit sërb. Në qoftë se zgjidhet President, Senatori Kerry, do të zbatojë pikërisht atë model edhe në Irak, ku NATO-ja do të ishte një organizatë që do të garantonte sigurinë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar do të bashkëpunonte për të dhënë mbështetje politike dhe ekonomike në zhvillimin e Irakut. Zoti Rubin tha më tej se Senatori Kerry ka bindjen se prania amerikane në rajonin e trazuar të Ballkanit duhet të vazhdojë.

"Kur ai shikon problemet në Evropën jugore, është i bindur se udhëheqja dhe angazhimi amerikan në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë, me NATO-n dhe me institucionet evropiane si Bashkimi Evropian, duhet të vazhdojnë me synimin e qartë për një Evropë të integruar, të lirë dhe paqësore. Vetëm në një Evropë tillë vendet e Ballkanit dhe të Evropës Jugore e Lindore mund të hynë në institucionet evropiane".

Lidhur me kohëzgjatjen e pranisë së trupave amerikane në Kosovë, James Rubin tha se Senatori Kerry është kundër prirjeve të Pentagonit për të gjetur një justifikin që trupat të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

"Senatori Kerry do të donte që trupat e NATO-s të qendrojnë në Kosovë për sa kohë që të jetë e nevojshme për vendosjen e stabilitetit, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe integrimin me institucionet evropiane. Ai do që Shtetet e Bashkura të kenë rolin udhëheqës në realizimin e këtij objektivi, për të mos lejuar që problemet, të cilat vërehen tani në Ballkan të marrin përpjestime të gjera dhe të shndërohen në një konflikt të rëndë".

James Rubin tha se Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një sukses të madh në atë rajon dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta dëmtojnë atë duke u larguar para kohe nga Kosova. Lidhur me statusin përfundimtar, zoti Rubin tha se Senatori Kerry është i mendimit se Kosova duhet të ketë të drejtën të vetvendosë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin botën në zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar.

XS
SM
MD
LG