Lidhje

SHBA dhe forcat irakiane të sigurimit bënë thirrje për shpërbërjen e milicisë ilegale Mahdi - 2004-06-03


Në Irakun jugor, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe forcat irakiane të sigurimit kanë bërë thirrje për shpërbërjen e një milicie ilegale, e njohur si ushtria Mahdi. Luftëtarët e kësaj milicie janë përkrahës të klerikut radikal shiit, Maqtada al-Sadër, i cili ka nxitur dhunën dhe është përpjekur të marrë kontrollin në vend.

Kleriku al-Sadër akuzohet në një fletë arresti se ishte angazhuar në vrasjen në prill të vitit të kaluar të klerikut të moderuar shiit, Abdul-Majid Al-Khoei, i cili u vra me thikë pak pasi Iraku u çlirua nga regjimi i Sadam Huseinit.

Tani kleriku al-Sadër i ka dërguar një letër grupit të anëtarëve të njohur shiitë të ish Këshillit Qeverisës Irakian, i njohur si Shtëpia Shiite. Zëdhënësi i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, Dan Senor, tha se në letër kleriku al-Sadër zotohet për tërheqjen e milicisë së tij nga qyteti i shenjtë shiitë, Naxhaf.

“Procesi përfshin gjithashtu që Maqtada al-Sadër të përmbushë kërkesat e urdhër arrestit dhe që ai të çarmatosë dhe të shpërndajë milicinë e tij ilegale. Ne do ta ndjekim nga shumë afër këtë proces.”

Koalicioni nuk morri pjesë në negociatat që sollën letrën. Por nën-drejtori për operacionet e koalicionit, gjenerali Mark Kimmitt, tha se në qoftë që kleriku Maqtada al-Sadër përmbush kërkesat e urdhër arrestit, kjo do të ndihmonte në përfundimin e dhunës në Irakun jugor.

“Ky është një hap shumë pozitiv jo vetëm për forcat e koalicionit, të cilat mund të pakësojnë praninë e tyre në Naxhaf, por edhe për popullin irakian, që ai të kthehet në qytet dhe ta marrë atë nën kontroll, diçka që ka qënë edhe objektivi ynë përfundimtar. Në këtë mënyrë populli i Naxhafit të mos jetë peng i klerikut Maqtada al-Sadërit, por qyteti të hapet dhe të lejohet kthimi i myslimanëve shiitë në qytetin e tyre, ku të jetojnë dhe të luten në qendrat e tyre më të shenjta fetare.”

Koalicioni nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për sa i përket milicisë ilegale të Maqtada al-Sadërit, tha zëdhënësi i koalicionit, Dan Senor, as edhe lidhur me detyrimet e vetë Maqtada al-Sadërit që të përmbushë kërkesat e përfshira në urdhër arrestin e lëshuar kundër tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG