Lidhje

Laskaj: Korrupsioni do kohë dhe norma ligjore për t'u luftuar - 2004-06-03


Deklarimi i pasurive të zyrtarëve në Shqipëri ka qenë gjithë këto ditë objekt debati. Shtypi dhe politikanë të opozitës kanë shprehur shqetësim se zyrtare të lartë nuk kane thënë të vërtetën mbi pasuritë që zotërojnë. Edhe koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit iu shtua këtyre zërave duke i kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive të bëjë verifikimet përkatëse që të zbardhet e vërteta e pasurive të zyrtarëve. Për këto shqetësime, kryeinspektorja e deklarimit të pasurive Fatmira Laskaj, e cila ndodhet këtu në Shtetet e Bashkuara për shkëmbim përvojë në këtë fushë dha një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zonja Laskaj, fillimisht, si ka ecur procesi deri tani?

Fatmira Laskaj: Procesi i deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe i detyrimeve financiare aktualisht ka filluar me mbarimin e fazës së parë të dorëzimit të këtyre deklaratave më 31 mars. Në gjithë këtë periudhë, gjithmonë në ato afate të parashikuara nga ligji përkatës janë marrë të gjithë inspektorët e lartë me procedurën për të plotësuar të metat që janë verifikuar deri tani në deklarimet e bëra. Njëkohësisht me plan-veprimin tonë si inspektoriat i përgjithshëm, kam angazhuar të gjithë inspektorët e seksionit të kontrollit që të fillojnë kontrollin mbi ato deklarata me të cilat kemi mbaruar fazën e përpunimit dhe përfundimit paraprak të tyre. Pra aktualisht deri në ditën që unë u nisa për këtu për programin e financuar nga USAID-i, ndoshta do të ishte mirë që të thoja këtu që ekipi i Inspektoriatit të Lartë vazhdon detyrën në krye të vetë kontrollit të obligimit ligjor që ka secili prej tyre dhe plan-veprimi im mendoj që do të jetë obligim për secilin nga ata dhe secili ka deklarime të përcaktuara për kontroll. Pra në duart e seksionit të kontrollit, tek secili inspektor i lartë ndodhen për të kontrolluar konform ligjit deklaratat e 20 nëpunësve të cilat janë publikuar dhe të 90 deputetëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Laskaj, në shtyp ka patur akuza të shumta këto ditë, se një pjesë e zyrtarëve, dhe shtypi ka veçuar këtu Kryeministrin Fatos Nano, nuk kanë bërë deklarim të saktë të pasurive. Çfarë procedurash ndjek zyra juaj në raste të tilla?

Fatmira Laskaj: Do të ishte në radhë të parë në interes të të gjithë kombit shqiptar, por edhe të institucionit tonë, por edhe të një shkalle besimi që duhet të ketë, ashtu sikurse kanë vetë dhe shprehin sinqerisht autoritetet ndërkombëtare, shtetërore, si të Shteteve të Bashkuara me të cilët nme po bashkëpunojmë, si zyra e etikës e të tjera me radhë, të cilët kanë mjaft besim tek niveli drejtues dhe tekniko-organizativ i titullarit, edhe i gjithë ekipit që unë kam qëllim të ligjit përkatës, prandaj do të dëshiroja shumë që mediat, ashtu sikurse sinqerisht kam folur dhe kam qenë transparente me ta, të kenë një shkallë besimi në këtë drejtim. Institucioni ynë, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nuk mundet dot kurrsesi të përdoret për fansa politikë të kujtdo qoftë, apo të situatave të ndryshme. Unë edhe një herë do të bëja apel të na lejojnë të punojmë, se ky inspektoriat nuk është i krijuar dhe të përfundojë për një ditë a dy. Korrupsioni është një fenomen i tillë, i cili do kohë dhe norma ligjore dhe duke i respektuar ato, ne do të kemi atë rezultat të mirë për të qenë sa më korrent dhe të respektuar me të gjithë në këtë kontroll që do të bëjmë.

Zëri i Amerikës: Zonja Laskaj, sa kohë parashikoni se mund të zgjasë procesi i verifikimit dhe cilët do të filloni të parët për të verifikuar?

Fatmira Laskaj: Sapo thashë që ne kemi publikuar që nga deklaratat e kreut të shtetit, të qeverisë, të disa ministrave dhe deputetëve, sipas kërkimeve që ka bërë media dhe do të vazhdojmë kontrollin ndaj tyre. Procedura e tyre e ndarë në seksione kontrolli nuk do të thotë fakti që ne ndodhemi këtu dhe është pezulluar. Puna pranë inspektoriatit tonë vazhdon e qetë, por njëkohësisht, nuk është normale që çdo inspektor të dalë para çdo gazetari dhe të japë për çdo ditë dhe për çdo kohë fletë kontrolli të asaj pune që ai ka në organizim. Këto janë një shkelje e hapur e ligjit nëse do të kërkojnë të dhëna nga kontrollet e përgjithshme që mund të bëjë ky apo ai inspektor. Ligji e ka të përcaktuar qartë që publikimi do të realizohet vetëm nëpërmjet një bashkëbisedimi dhe mirëkuptimi të drejtë me Inspektorin e Përgjithshëm. Ne, monentalisht ndodhemi pikërisht në fazën e kësaj pyetjeje që po bëni, se çfarë efekti dhe si duhet ta marrim këtë përvojë të mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga zyrat homologe të këtushme qeveritare dhe ato të shoqërisë së lirë dhe problemi është që ne duhet të marrim këtë eksperiencë dhe ndodhemi tamam në hapat e para të këtij kontrolli.

Zëri i Amerikës: Çfarë garancish për transparence do t’i ofronit ju publikut për procesin e verifikimit?

Fatmira Laskaj: Unë në radhë të parë nuk di se çfarë garancie tjetër mund t’i jap, kur para publikut tashmë ndodhen: deklaratat origjinale të prezantuara para medias dhe të fotokopjuara pa asnjë ndryshim. Para publikut shqiptar ndodhet deklarata e Presidentit, e Kryeministrit, e bashkëshortes së kryeministrit, e Kryetarit të Kuvendit, e disa ministrave, disa deputetëve dhe mediat janë të lira të bëjnë obligimet e duhura, të bashkëpunojnë me ne për të gjitha ato çka ata dyshojnë në këtë pasqyrim të deklaratës së vetë personave.

Zëri i Amerikës: A mendoni se zyra juaj i ka kompetencat e duhura për të bërë verifikim të pavarur dhe për të mos u ndikuar nga politika?

Fatmira Laskaj: Personalisht unë dhe stafi im, jemi të gjithë të obliguar për të arritur këtë qëllim imediat që i kemi vënë vetes dhe në respekt të ligjit, që ne vetvetiu jemi të pavarur, sipas ligjit dhe ashtu dëshirojmë të jemi, të pavarur dhe e mira është e të gjithëve, e shoqërisë shqiptare, komunitetit shqiptar, po pse jo edhe atij ndërkombëtar që Inspektoriati i Lartë të mos përdoret asnjëherë dhe nga askush për pozicione të ndryshme, apo situata të ndryshme politike nga kushdo qoftë.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që kanë specialistët, apo kritikët në Shqipëri është se një pjesë e zyrtarëve shqiptarë mund t’i kenë pasuritë në emër të personave të tjerë. A merret zyra juaj edhe me raste të tilla?

Fatmira Laskaj: Sigurisht që po. Në bazë të ligjit, ndoshta është pak teknike për t’u sqaruar, por ky është edhe qëllimi kryesor që duhet bërë i ditur për mbarë opinionin, inspektori i lartë duhet të shikojë anën logjike dhe aritmetike të asaj ç'ka është pasqyruar në deklaratë, por njëkohësisht ne kemi detyrimin zyrtar dhe ligjor dhe institucionet e tjera të pavarura dhe ato shtetërore që janë të gjitha të instaluara në luftën kundër korrupsionit, janë të lutur të sjellin informacione të ndryshme për të bërë krahasimin dhe kontrollin e plotë, nëse ajo që është pasqyruar në këtë deklaratë, është ose jo e vërtetë dhe verifikimi i plotë që do të bëhet nga ana jonë për të nxjerrë këtë realitet. Por sot për sot të flasim me një absurditet të tillë, pa na u ofruar edhe prova të tjera, jo çdo gjë duhet pritur nga ky inspektoriat. Ne kemi qenë krejt të hapur dhe të lirshëm: që të gjithë janë të lutur që të sjellin prova të sakta, për të bërë krahasimin e duhur me atë çka është pasqyruar në deklaratën personale të cilitdo nëpunës.

XS
SM
MD
LG