Lidhje

Presidenti Bush ndodhet në Itali - 2004-06-04


Presidenti Bush mbërriti në Itali, në ndalesën e parë të turneut të tij evropian me rastin e 60 vjetorit të ndërhyrjes së forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore dhe çlirimit të Romës.

Pritet gjithashtu që presidenti të kërkojë shtimin e mbështetjes ndërkombëtare për koalicionin në Irak.

Zoti Bush do të zhvillojë sot bisedime me kryeministrin italian Silvio Berluskoni dhe presidentin Carlo Azeglio Ciampi.

Dje, zoti Berluskoni tha se synon të parandalojë ndërprerjet që mund të shkaktojnë protestuesit gjatë vizitës së zotit Bush. Ai tha se demonstruesit do të errësonin domethënien e vërtetë të festimeve të 4 qershorit, të cilat shënojnë përvjetorin e çlirimit të Romës nga forcat amerikane dhe aleate.

Mijëra oficerë policie janë dislokuar në Romë për vizitën e presidentit Bush. Policia ka ndaluar parkimin në afërsi të Vatikanit, ku presidenti Bush do të takohet sot me Papa Gjon Palin e Dytë.

Presidenti Bush shkon nesër në Francë për bisedime me presidentin francez Zhak Shirak lidhur me një numër çështjesh, përfshirë edhe gjendjen në Irak.

Presidenti do të shkojë të dielën në Normandi për të përkujtuar 60 vjetorin e zbarkimit të trupave amerikane më 6 qershor 1944 në Francë për të çliruar Evropën nga nazistët. Në ceremoninë përkujtimore do të marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë botërore, ndër të cilët edhe kancelari gjerman Gerhard Shroder, udhëheqësi i parë gjerman i pranishëm në një ceremoni të tillë.

//ze//

XS
SM
MD
LG