Lidhje

Tenet: Dorëheqja, vendimi më i vështirë - 2004-06-04


Drejtori i CIA-s George Tenet dha dje dorëheqjen mes kritikave se agjencia e tij nuk ishte në gjendje të parandalonte sulmet terroriste të 11 shtetorit dhe për raportet me të meta të paraluftës për Irakun. Zoti Tenet që drejtoi CIA-n për afro shtatë vjet, mbikëqyrte gjithashtu të gjitha agjencitë e tjetra të zbulimit. Presidenti Bush tha se zoti Tenet ishte një udhëheqës i fortë dhe i zoti dhe shprehu keqardhjen për largimin e tij. Dorëheqja e zotit Tenet vjen para një raporti të senatit amerikan që do të bëhet publik këtë muaj dhe që pritet të ketë kritika të ashpra si për të ashtu edhe për CIA-n, se kishte ekzagjeruar informacionin mbi armët e shkatërrimit në masë.

Dita e djeshme dukej se ishte një moment shumë emocional për zotin Tenet. Në fakt në disa momente gjatë fjalës së tij para punonjësve të CIA-s, zoti Tenet u përlot. Analistët thonë se ai ishte i përkushtuar ndaj punës. Zoti Tenet e drejtoi agjensinë gjatë një periudhe teper të vështirë.

Presidenti Bush tha se George Tenet e kishte kërkuar dorëheqjen, e cila kishte ca kohë që po përflitej, në një takim në Shtëpinë e Bardhë. “Pata një takim të ngrohtë me të. Më tha që po jepte dorëheqjen për arsye personale. I shpreha keqardhjen që po largohej. Ai ka bërë një punë të mrekullueshme për popullin amerikan”.

Edhe vetë zoti Tenet tha dje para punonjësve të CIA-s se e kishte marrë vendimin për arsye personale. “Ky është vendimi më i vështirë që më është dashur të marr ndonjëherë dhe megjithëse rrethet në Washington dhe në media do të duan t’i japin gjithfarë shpjegimesh këtij vendimi, ai ishte një vendim personal dhe u mor vetëm për një arsye: lumturia e familjes sime, asgjë më shumë, asgjë më pak”.

Zoti Tenet u bë Drejtor i CIA-s në vitin 1997, gjatë administratës së presidentit Klinton, por qëndroi në detyrë kur u zgjodh zoti Bush si president. Ai siguroi mbështetjen e fortë të Presidentit Bush, edhe në momentet kur u vu në qendër të polemikave. Ai dhe agjencia e tij u kritikuan për mënyrën sesi u përdor informacioni i zbulimit si para 11 shtatoritashtu edhe për çështjen nëse Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë.

Por zoti Tenet e mohoi që çështje të tilla të kishin të bënin me largimin e tij dhe vlerësoi punën e CIA-s. “Ka diçka që unë e them me krenari të madhe: CIA dhe komuniteti amerikan i zbulimit janë tani më të fortë sesa kur unë u bëra Drejtor i Zbulimit Qendror, para shtatë vjetësh dhe nesër do të bëhen edhe më të fortë nga ç’ishin dje. Kjo nuk është trashëgimia ime, por e juaja”.

Lajmi për ikjen e tij e befasoi shumicën në Washington. Presidenti Bush i informoi këshilltarët e tij dje në mëngjes në një takim ku merrte pjesë Nënpresidenti Dick Cheney, Sekretari i Shtetit Colin Powell dhe këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Condoleezza Rice.

Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë se Presidenti u tha ndihmësve të tij se nuk donte që askush të spekullonte se Tenet po largohej për arsye të tjera dhe jo personale. Në fakt ai mori vetëm lavdërime nga Presidenti: “Ai ka qenë një udhëheqës i fortë dhe i zoti në CIA. Ai ka qenë një udhëheqës i fortë në luftën kundër terrorizmit. Dhe unë do ta ndjej mungesën e tij”.

Drejtori i FBI-së, Robert Mueller, tha dje duke dëshmuar në Kongres se dorëheqja e zotit Tenet ishte “një humbje e madhe” për CIA-n dhe për vendin. “Besoj se ai është një nga udhëheqësit e vërtetë, jo vetëm në fushën e zbulimit dhe ikja e tij do të shkaktojë dhimbje tek kolegët e CIA-s, tek publiku amerikan dhe nga ne në FBI. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me të për mua do të jetë një humbje personale. Ne kemi krijuar një marrëdhënie shumë të mirë gjatë këtyre dy viteve e gjysmë”.

Nancy Pelosi, udhëheqësja e pakicës demokrate në Kongres në Dhomën e Përfaqësuesve foli për të metat në zbulim: “Sigurisht që pati dështim të zbulimit në operacionin e Irakut, veçanërisht në muajt para ndërhyrjes ushtarake. Ka patur gjithashtu edhe dështime të tjera. Nuk mendoj se dorëheqja e George Tenetit duhet të jetë e vetmja përgjigje për këto dështime”.

Kandidati demokrat për president John Kerry u pyet nëse ajo që do të lërë pas George Tenet është dështimi i CIA-s për të frenuar 11 shtatorin, ose pohimi i agjencisë që në Irak kishte armë të shkatërrimit në masë. “Ai është njeri i mirë dhe ka dhënë shumë për këtë vend. Personalisht unë e pëlqej. Por mendoj se dështimet e agjencisë së zbulimit këto vitet e fundit, në një kohë shumë kritike nuk mund të lihen jashtë vëmendjes. Nuk e di a është faji i tij, apo se i kujt është faji, por ato janë dështime. Dhe sigurisht që ne duhet ta korrigjojmë një gjë të tillë”.

Zoti Tenet do të vazhdojë të rrijë në detyrë deri në mes të korrikut. Nëndrejtori i CIA-s John McLaughlin do ta vazhdojë të kryejë funksionet e tij, derisa të emërohet drejtori i ri përhershëm.

//rd//

XS
SM
MD
LG