Lidhje

Gjendje e tensionuar në një zonë të Kosovës pas vrasjes së një serbi - 2004-06-06


Në Gracanicë afër Prishtinës, zonë e banuar me shumicë serbe, po mbretëron një gjendje e tensionuar, pas vrasjes të shtunën të një pjestari të këtij komuniteti në rrethana të paqarta. Përfaqësuesit politikë serbë kanë bërë thirrje të dielën për masa më të rrepta të sigurisë dhe për mbylljen e rrugëve që kalojnë nëpër zonat e banuara me serbë në Kosovë.

Tensionet ndëretnike që filluan të zbuten pas trazirave të dhunshme të muajit mars në Kosovë, janë rritur përsëri pas kësaj ngjarjeje, e cila ndodhi në prag të zhvilimeve të rëndësishme politike në Kosovë.

Ndërkohë Rusia i bëri thirrje të Kombeve të Bashkuara dhe misionit të NATO-s në Kosovë të marrin masa urgjente për të rivendosur rendin atje.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse dënoi të dielën me forcë ato që ai i cilësoi si akte të dhunës kundër komunitetit serb. Ai tha se dhuna etnike në mars dhe vrasja të shtunën e një të riu serb tregojnë mungesën e theksuar të tolerancës etnike në Kosovë.

Zëdhënësi bëri thirrje që paqeruajtësit në Kosovë të mbledhin armët nga popullsia civile, të shpërbëjnë grupet paraushtarake dhe të marrin masa të ashpra kundër atyre që marrin pjesë në dhunën kundër zonave serbe.

Kryeadministratori i OKB-së për Kosovën, Harri Holkeri, i cili ka dhënë dorëheqjen nga posti, tha se nuk beson se populli i Kosovës mbështet akte të dhunës si vrasje e djeshme.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e dënoi vrasjen dhe u kërkoi autoriteteve që të sjellin autorët para drejtësisë. Autoritetet kanë arrestuar dy shqiptarë të dyshuar pasi polcia gjeti armë në makinën e tyre. //kk//

XS
SM
MD
LG