Lidhje

Përpunimi i mbetjeve në Shqipëri - 2004-06-07


Në Shqipëri, disa dhjetra organizata jo qeveritare që kundërshtojnë një projekt-marrëveshje të qeverisë shqiptare me një kompani italiane për ngritjen e një impianti për trajtimin e mbeturinave të qytetit të Tiranës dhe Durrësit, do të organizojnë të martën një protestë përpara selisë së qeverisë për të kërkuar respektimin e kuadrit ligjor, transparencë dhe përfshirjen e komunitetit në diskutimin e marrëveshjes. Debatet rreth ngritjes së impiantit prej ditësh kanë pushtuar vëmendjen e shtypit në Shqipëri. Një kompani italiane do të ndërtojë impiantin që do të trajtojë mbetjet e qyteteve të Durrësit dhe Tiranës. Si shkëmbim i përpunimit të tyre falas, firma italiane do të sjellë për përpunim mbeturina edhe nga Italia. Pikëpyetjet që kanë lindur dhe në të cilat mbështetet kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje, kanë të bëjnë me teknologjinë e ofruar, me dyshimet mbi mbetjet që do të vijnë nga Italia dhe rrezikshmërinë që mund të kenë ato për ndotjen e mjedisit.

Intervistë me Ministrin e Mjedisit Ethem Ruka dhe përfaqësuesin e grupimit “Reagimi Qytetar”, Xhemal Mato.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruka, le të ndalemi fillimisht tek ligjshmëria e marrëveshjes. Sipas organizatave jo qeveritare marrëveshja ka shkelje të shumta të legjislacionit. Sipas tyre, ligji në Shqipëri nuk lejon importimin e mbetjeve të ngurta. Mbi çfarë baze ligjore është nënshkruar marrëveshja me firmën italiane?

Ministri Ruka: Dëshiroj të theksoj qysh në fillim, që nuk ka një marrëveshje të nënshkruar midis qeverisë dhe firmës italiane, ose firmës të regjistruar në Shqipëri nën emrin “Albaniabeg”. Ajo është thjesht një kompani e cila është përzgjedhur nga një Organizëm Shtetëror i Autorizuar dhe deri tani ka patur dy-tre drafte të kësaj marrëveshjeje, të cilat kanë pësuar përmirësime në mënyrë që ajo të vijë në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Do të doja të shpjegoja me dy fjalë, që në Shqipëri nuk lejohet të vijë nga jashtë asnjë lloj mbetje e çfarëdo natyre, për t’u asgjesuar në Republikën e Shqipërisë. Kjo është e ndaluar në mënyrë taksative nga dy ligje: nga ligji për mbrojtjen e mjedisit dhe nga ligji për trajtimin e mbetjeve urbane. Ndërkaq, në këtë ligj, ka një hapësirë të vogël, në një nga nenet, e cila autorizon sjelljen e mbetjeve nga jashtë, vetëm për qëllime riciklimi dhe për transformimin e tyre në lëndë të tjera. Kjo bazë ligjore, është e zbërthyer në dy vendime qeverie, njeri i hartuar në vitin 1994, në kohën e qeverisë Meksi, i cili përcakton se cilat janë këto lëndë, që mund të vijnë në territorin e Shqipërisë për t’u ricikluar dhe që shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e diçkaje tjetër. Ka praktikisht dy anekse, një aneks i cili ndalon rreptësisht një pjesë lëndësh, që i konsideron të rrezikshme dhe lejon vetëm 6 deri 7 lëndë të kësaj natyre, që janë lëndë metalesh, që shërbejnë si skrape për industrinë metalurgjike, kurse në lëndët e tjera, që ka mundësi të riciklohen, janë mbetjet e qelqit, mbetjet e kartonit dhe mbetjet e leshit dhe pambukut. Përtej kësaj liste, në legjislacionin e sotëm shqiptar, nuk lejohet absolutisht të vijë asnjë gjë tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Mato cilat janë shqetësimet kryesore që kanë organizatat jo-qeveritare për këtë projekt?

Xhemal Mato: Janë pikërisht ato që u paraqitën edhe nga zoti ministër. Këtu ka një shkelje ligji. Ndërkohë që ligji nuk e lejon, impianti që do të instalohet këtu, parashikon që të sjellë plehra nga Italia, ose ta quajmë mbetje urbane, të cilat do të digjen në Shqipëri dhe janë një sasi kolosale, krahasuar me kërkesat që ka ky impiant, të cilat, mund të lejojnë pastaj të futen në Shqipëri shumë lloje të tjera, sepse ne nuk kemi mundësi të kontrollojmë gati 50 - 70 maune në ditë, që do të vijnë për ta furnizuar këtë impiant. Aq më tepër pastaj, që për këtë teknologji, ka diskutime nga shumë specialistë: a është vërtetë teknologjia më e mirë që mund të pranojmë ne, apo mund të diskutohen edhe forma të tjera më ekologjike? Gjithë reagimi është përmbledhur thjesht në sentencën: “Nuk duam të pranojmë plehra nga jashtë”. Të përpunojmë plehrat që kemi në vendin tonë se është e domosdoshme t’i përpunojmë, por të gjejmë teknologji ekologjike që mos të ketë pasoja.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruka një nga shqetësimet kryesore, siç e dëgjuam, ka të bëjë pikërisht me rrezikshmërinë e plehrave dhe siç tha zoti Mato, Shqipëria nuk është në gjendje të kontrollojë hyrjen e plehrave. A mund të garantoni ju, pra a janë të afta ligjet në Shqipëri dhe rregullat, që të garantohet se në vend nuk do të hyjnë mbetje të rrezikshme?

Ethem Ruka: Së pari duhet të dallojmë një gjë, që kjo marrëveshje, nuk është një marrëveshje e firmosuar midis qeverisë shqiptare dhe koncesionarit. Kjo është një marrëveshje në diskutim, pra nuk është arritur që të bëhet një projekt vendim për t’u çuar në qeveri për të marrë vendim. Kjo do të thotë, se është në proces diskutimi, që nga pikëpamja e terminologjisë, që ka kjo projekt-marrëveshje, e cila duhet të ishte në përputhje të plotë me termat e legjislacionit shqiptar. Për shembull, termi “mbetje e thatë”, që pretendon koncesioneri për të sjellë në Shqipëri, nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Shkurt, unë i kuptoj shumë qartë sensibilitetet e të gjithë shoqërisë, publike, civile etj., etj.. Unë si Ministri Mjedisi, por edhe qeveria shqiptare, nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje që del përtej caqeve të legjislacionit shqiptar. Të paktën kjo është garancia që mund të japim ne si Ministri Mjedisi dhe që jemi përgjegjës në një farë mënyre për legjislacionin në fushën e mjedisit. Ekzagjerimet e tjera, që do të vijnë lëndë radioaktive, që do të vijnë lëndë të kontaminuara etj., etj., janë çështje që sigurisht mund të diskutohen, kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Mua si ministër, nuk më lejohet kurrë që të paragjykoj as legjislacionin kombëtar, as vendin fqinj Italinë, as legjislacionin e saj, por unë mendoj që nuk ka ardhur puna deri këtu.

Zëri i Amerikës: Ndonëse nuk mund të spekuloni, garanci mund të jepni. Pra a ekzistojnë në Shqipëri, a ka rregulla, a ka mjete të mjaftueshme, për të garantuar një gjë të tillë, që nuk do të hyjnë mbetje të rrezikshme?

Ethem Ruka: Shqipëria ka ato mjete, ato mundësi që ka i gjithë instrumenti i doganës. Këtu nuk është fjala vetëm për këto mbetje, mbetje urbane, të cilat praktikisht me ligjin shqiptar nuk lejohen të vijnë. Unë e thashë çfarë lejohen, janë vetëm tre artikuj: mbetje kartoni, mbetje pambuku, mbetje qelqi, këto janë gjera që pranohen sot. Nesër nuk e di se çfarë mund të pranohet. Se cili është kapaciteti i doganave shqiptare, kjo dihet nga të gjithë. Nuk vjen një produkt, këtu vijnë mijëra produkte, të cilat normalisht dogana ka të drejtën t’i kontrollojë. Nesër kur të forcohet shteti mund t’i kontrollojë më mirë. Mundësitë, rreziku për të kaluar përmes doganave tona materiale të dyshimta, ekzistojnë dhe kjo shton edhe pasigurinë e opinionit publik. Dhe unë bashkohem me të, që është një shqetësim absolutisht i drejtë, por që natyrisht nuk duhet ekzagjeruar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mato, Shqipëria në kushtet kur nuk është vetë e aftë që të financojë ngritjen e impianteve të tilla dhe kjo është një praktikë tashmë e njohur edhe për vende të tjera të botës, ku mbeturinat transferohen nga një vend në një tjetër për t’u përpunuar, a keni bërë ju ndonjë vlerësim se sa fitohet dhe sa humbitet nga ky projekt, pra si është raporti i humbjeve me fitimin?

Xhemal Mato: Natyrisht që ne kemi krijuar një grupim, që quhet “Grupi i Reagimit Qytetar”, ku ka shumë përbërsa shoqate, specialistë, të cilët i kanë bërë këto vlerësime nga ana ekonomike. Problemi është që këtu shihet një gjë: kërkohet ky lloj impianti, vetëm se ky e justifikon vetën duke marrë plehra nga Italia, që të arrijë mundësinë të djegë, aq sa kërkon impianti të realizojë edhe energjinë elektrike. Dhe kostoja i ulet nëpërmjet energjisë elektrike, përveç përfitimeve të tjera në plehra. Pra është një detyrim që na vihet ne, vetëm sepse duhet të arrijë ai rentabilitetin si uzinë. Ndërkohë që ka shumë teknologji të tjera, që e kanë koston më të ulët, por që e pranojnë këtë sasi plehrash që kemi ne dhe që nuk na vënë patjetër kushtin, që për të hequr plehrat tona, të pranojmë edhe plehra nga Italia. Ky është një detyrim, që është thjesht një spekullim ekonomik, që na bëhet në këtë rast. Kështu që këtu është bërë analiza edhe nga ana ekonomike, nga shumë specialistë, qoftë edhe nga ana ekonologjike, sepse shumë telnologji mund të jenë fillimisht pak më të shtrenjta, por janë pastaj më rentable më vonë. Kjo nuk është diskutuar fare. Këtu qëndron edhe e keqja. Zotin Ministër unë e përgëzoj që thotë se nuk lejohen të futen plehra, por ndërkohë, kjo ka marrë rrugë, sepse ne na thirrën si shoqata në Kryeminsitri, ku është krijuar një grup dhe na thanë: “ne do bëjmë pikat e referencës tani, në mënyrë që ta firmosim këtë lloj aktiviteti”. Pra kjo ka marrë rrugë për t’u bërë dhe nuk është se ka hyrë si mundësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruka ky projekt, le ta quajmë të tillë, është një nga rastet e ralla në Shqipëri që shkakton një debat kaq të madhe dhe ku publiku po thotë mendimin e tij përmes shtypit. Cili është hapi tjetër që do të hedhë qeveria, çfarë pritet në të ardhmen?

Ethem Ruka: Në qoftë se më lejoni të bëja një koment për leverdishërinë. Problemi është shumë i thjeshtë. Tirana dhe Durrësi nxjerrin gati 800 tonë mbetje në ditë. Dhe të gjitha kompanitë të cilat kanë ofruar punimin kundrejt një çmimi gati 30 dollarë, kostua vjetore e qytetarëve të Tiranës dhe Durrësit, shkon gati, mos gabohem, rreth 8 milionë dollarë. E thënë me fjalë të tjera, është një ngarkesë për çdo familje të këtyre qyteteve, që shkon rreth 40 dollarë, ose në muaj, i bie rreth 3 dollarë për një familje me 4 persona, për ta përballuar, në qoftë se do zgjidhej një teknologji tjetër, teknologjia e landfillit, për të shkuar deri tek ndarja e këtyre mbetjeve. Gjithsesi për hapin tjetër, është ngritur një komision me urdhër të Kryeministrit, i cili i ka kapërcyer kufijtë e kësaj OSHA-je, përfaqësuesve të qeverisë, meqënëse kanë dalë probleme që kalojnë përtej mundësive të përfaqësuesve që ka ky Organizëm Shtetëror i Autorizuar. Dhe këtë kërkesë e kemi bërë dhe ne si ministri, edhe ministritë e tjera. Ky organizëm që është ngritur, nuk ka për qëllim të marrë funksionet e OSHA-së, përkundrazi, duke marrë edhe mendimin e shoqërisë civile, të shikojë të gjitha alternativat, të gjitha mundësitë, në se kjo ecën, apo nuk ecën.

XS
SM
MD
LG