Lidhje

Bush: Një Irak i lirë - mesazh për Iranin - 2004-06-08


Iraku ka një qeveri të re të përkohshme që më 30 qershor do të marrë pushtetin nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Krijimi i qeverisë së re me Iyad Allawin në postin e kryeministrit dhe Ghazi Axhil al-Awari në atë të presidentit, përbën një hap të rëndësishëm drejt një Iraku të lirë dhe të pavarur. Detyra kryesore e qeverisë së përkohshme është të udhëheqë Irakun deri në janar, kur do të zhvillohen zgjedhjet kombëtare.

Presidenti Bush thotë se një Irak me të vërtetë sovran dhe me një qeveri me të vërtetë prëfaqësuese do të realizojë ëndërrën e popullit irakian. Por, ai thekson se ai do të bëjë edhe më shumë: “Një Irak i lirë në zemër të Lindjes së Mesme do të jetë faktor i rëndësishëm ndryshimesh, do të jetë një shtytës i fuqishëm për ndryshime. Ai do të përcjellë mesazhin e qartë se terroristët nuk mund të fitojnë dhe se një shoqëri e lirë përbën mënyrën më të mirë për të ngjallur shpresat dhe aspiratat e njerëzve.”

Një vend i posaçëm që do t’i vëjë re këto ndryshime, tha Presidenti Bush, është Irani: “Këto ndryshime, tha Presidenti Bush, janë shumë të rëndësishme për ata që kërkojnë lirinë Iran. Një Irak i lirë në kufi me Iranin do t’u dërgojë një mesazh të qartë atyre që kërkojnë të jenë të lirë, se është e mundshme që në vendin e tyre të krijohet një shoqëri e lirë.“

Presidenti Bush thotë se është e domosdoshme të punohet për demokraci në gjithë Lindjen e Mesme: “Për shkak se një shoqëri jo e lirë dhe jo demokratike, është një shoqëri që ka shumë mundësi të ushqejë pakënaqësi dhe zemërim dhe si rrjedhim, një shoqëri që e bën më të mundshëm rekrutimin e terroristëve të rinjë.”

Në të kaluarën, thotë Presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë ndjekur një politikë me të meta në rajonin e Lindjes së Mesme: “Për dhjetëra vite, vendet e lira kanë toleruar shtypjen në Lindjen e Mesme për hir të qendrueshmërisë. Nga pikëpamja praktike, ky qendrim nuk ka sjellë ndonjë qendrueshmëri të madhe dhe as përparim të ndjeshëm. Kështuqë unë, theksoi Presidenti Bush, e kam ndryshuar këtë politikë. Aktualisht, ne do të punojmë me të gjitha qeveritë e rajonit të angazhuara për shkatërrimin e rrjeteve terroriste. Kurse nga kënvështrimi afatgjatë, ne do të punojmë për një standard më të lartë përsa i përket reformës dhe demokracisë.”

“Shoqëritë e lira, thotë Presidenti Bush, janë shoqëri paqesore. Ne, shtoi ai, do të qendrojmë përkrah popujve të Lindjes së Mesme ndërkohë që ata kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri.“

XS
SM
MD
LG