Lidhje

Amerikanët po i bëjnë nderimet e fundit ish presidentit Reagan - 2004-06-08


Amerikanët në të gjithë vendin po i bëjnë homazhe presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, i cili vdiq të shtunën në moshën 93 vjeçare. Trupi i Presidentit Reagan është vendosur në bibliotekën e tij presidenciale afër Los Anxhelosit, ku deri tani mijra njerëz kanë bërë homazhe para arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan. Kongresi amerikan ka shtyrë punimet këtë javë në shenjë nderimi për jetën dhe trashëgiminë e Reaganit. Ronald Regani do të jetë presidenti i 10-të që vendoset në sallën e Kongresit nën nderime të posaçme. Kjo traditë filloi me presidentin Abraham Linkoln në vitin 1865. Michael Bechloss është historian që ka studiuar presidencën në Shtetet e Bashkuara: "Funerali shtetëror zhvillohet për të nderuar ata që kanë lënë një trashëgimi të tillë, saqë i gjithë vendi dëshiron t’i nderojë".

Zoti Bechloss tha se kur presidentit Kenedi iu bë atentat në vitin 1963, Jackie Kenedi kërkoi që varrimi i të shoqit të bëhej në të njëjtën traditë si ai i Linkolnit: "Ndihmësit e Kenedit shkuan në Bibliotekën e Kongresit dhe kërkuan në pirgje të tëra me libra për të mësuar se si zhvilloheshin gjërat në Washington në kohën e Linkolnit".

Ashtu si në funeralin e presidentit Kenedy në vitin 1963, trupi i presidentit Reagan do të vendoset në një arkivol mbi rrota dhe do të tërhiqet nga një kalë përgjatë bulevardit Constitution deri tek ndërtesa e Kongresit, ku ai do të mbahet me nderime të posaçme nesër dhe pasnesër.

Policia parashikon që më shumë se 100 mijë veta të përshkojnë sallën e Kongresit për t’i dhënë lamtumirën ish-presidentit. Historiani i Senatit, Richard Baker, parashikon që skena t’i përngjajë funeralit të presidentit Kenedi 40 vjet më parë: Vargu i njerëzve zgjatej nga arkivoli deri tek hyrja lindore e Kongresit dhe më pas vazhdonte për blloqe të tëra përjashta.

Zëdhënësja e familjes Reagan, Joanne Drake, mendon se pjesëmarrja e njerëzve në këto ceremoni pasqyron popullaritetin e zotit Reagan:

"Siç e dini, presidenti Reagan ishte një njeri i popullit. Ai e konsideronte shumë të rëndësishme që njerëzit të kishin mundësi të shprehnin respektin e tyre nëse e dëshironin këtë".

Të premten do të jetë ditë zie kombëtare për zotin Reagan, ndërkohë që udhëheqësit botërorë së bashku me presidentin Bush do të shkojnë për të ndjekur ceremonitë e përmortshme në Katedralen e Washingtonit.

Trupi i presidentit Reagan do të dërgohet më pas në Kaliforni për t’u varrosur në perëndim të diellit në oborrin e Bibliotekës Reagan mbi brigjet e Oqeanit Paqësor.

//rd//

XS
SM
MD
LG