Lidhje

Lajme inkurajuese për trajtimin e kancerit - 2004-06-08


Kohët e fundit po dëgjojmë njoftime inkurajuese në lidhje me kancerin - sëmundja e dytë më e rrezikshme në Shtetet e Bashkuara. Sëmundjet e zemrës zenë vendin e parë.

Në New Orleans të shtetit Luiziana, sapo përfundoi takimi vjetor i specialistëve më të mirë amerikanë të kancerit. Studiuesit paraqitën prova për disa zhvillime premtuese në trajtimin dhe parandalimin e kancerit.

Ndër kanceret më të vështirë për t’u trajtuar janë ato të veshkave, mushkërive, të kokës dhe të qafës. Tani një gjeneratë e re ilaçesh premton si kurrë më parë në suksesin kundër këtyre kancereve. ”Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme, pasi jemi marrë me biologji molekulare për 20 vjet me radhë dhe më në fund po i shohim përfitimet e kësaj pune në klinikë”, thotë eksperti Roy Herbst.

Ilaçet e reja, përfshirë Taceva-n, Erbitux-in dhe Avastin-in, bllokojnë lëndët kimike apo enët e gjakut që ushqejnë indet e kancerit. Rezultatet e paraqitura në konferencën mbi kancerin tregojnë se pacientët me tumore të avancuara, të cilët nuk përmirësoheshin nga format e tjera të trajtimit, arritën të jetonin mesatarisht më gjatë duke përdorur ilaçet e reja.

”Këto barna në përgjithësi i ndihmojnë mjaft pacientët të jetojnë për vite të tëra, por kuptohet se ka pacientë që nuk shohin ndonjë përmirësim,” thotë eksperti.

Faza e ardhshme e kërkimeve është përcaktimi i ilaçeve me efekt më të madh tek pacientë të kategorive të caktuara apo edhe i kombinimit të barnave të ndryshme në mënyrë që të arrihet efekti maksimal.

Studiuesit parqitën gjithashtu prova të reja për parandalimin e kancerit duke treguar se ilaçet e përdorura gjerësisht për të pakësuar kolesterolin, mund të ulin rrezikun e kancerit.

Një anketë publike me gati 3 mijë e 500 individë zbuloi se ata që merrnin ilaçe për uljen e kolesterolit, si Lipitor-i, Zocor-i apo Pravachol-i për të paktën 5 vjet, ishin 50 për qind më pak të rrezikuar të prekeshin nga kanceri i zorrës së trashë. ”Ndër shpjegimet e mundshme mund të përmendet çaktivizimi i gjeneve kanceroze nga efektet e këtyre barnave dhe zbutja e pezmatimit që shkakton kanceri në zorrën e trashë” thotë mjeku Stephen Gruber.

Barnat për uljen e kolesterolit pakësojnë rrezikun e kancereve të gjirit dhe të prostatës. Por meqenëse, këto ilaçe mund të shkaktojnë probleme në muskuj dhe mëlçi, në raste të rralla, studiuesit thonë se nuk janë ende të gatshëm t’i rekomandojnë vetëm për trajtimin e kancerit.

//rd//

XS
SM
MD
LG