Lidhje

Presidenca e Ronald Reganit në sytë e bashkëpunëtorëve - 2004-06-09


Gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Reagan mundësoi një zhvendosje të politikës amerikane drejt kahut konservator, si dhe udhëhoqi përpjekjet për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Korrespondenti Ed Warner bisedoi me disa nga bashkëpunëtorët e afërt të ish-presidentit lidhur me specifikat e presidencës së tij dhe arsyet përse Amerika e nderon këtë udhëheqës.

Ronald Reagani e cilësoi Bashkimin Sovjetik “perandori e së keqes” dhe iu përkushtua gjatë dy mandateve të tij përpjekjeve për ta shpërbërë atë. Por pas vdekjes së tij, ish-presidenti sovjetik Mikhail Grbaçov, e kujtoi me nderim jetën e këtij udhëheqësi.

Zoti Gorbaçov shkroi në gazetën New York Times se ish-presidenti Reagan riktheu fuqinë ushtarake të Amerikës dhe i bëri sfidë komunizmit sovjetik gjatë mandatit të tij të parë, ndërkohë që u përqëndrua në përpjekjet për paqe gjatë mandatit të dytë. Dy udhëheqësit u angazhuan në një dialog që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe presidenti Reagan tha se Bashkimi Sovjetik nuk ishte më perandori e së keqes.

Disa nga përkrahësit më të zjarrtë të presidentit Reagan u tronditën nga këto ndryshime, por shefi i personelit të zotit Reagan, Don Regan, thotë se presidenti kishte pasur gjithmonë këtë pikësynim.

Martin Anderson, ish-këshilltar i presidentit për çështjet e politikës së brendshme, sjell si shembull një fjalim që zoti Reagan dha në vitin 1963:

“Ai parashtroi një politikë për të mundur Bashkimin Sovjetik. Ideja e tij ishte se sovjetikët nuk do të arrinin të konkuronin me Amerikën. Nëse Shtetet e Bashkuara angazhohen në garën e armatimeve, dhe Bashkimi Sovjetik përpiqet të konkurojë, ai do të dështojë. Pasi të ndodhë kjo, Amerika do të shtrijë dorën e bashkëpunimit, dhe pikërisht kjo ndodhi”.

Lee Edwards, analist në fondacionin Heritage thotë se presidenti nuk shikonte rrugëdalje tjetër nga Lufta e Ftohtë, përveç fitores së Amerikës. Kjo e tronditi Washingtonin, pasi konsiderohej si një rrugëdalje pa konsideratë për diplomacinë. Por Regani kishte një tjetër mendim: “Ai gjithmonë e konsideronte veten jashtë lojrave politike. Ai e quante viten qytetar - politikan, edhe pas 8 vjetëve si guvernator i Kalifornisë dhe 8 vjet si president i Shteteve të Bashkuara. Prandaj nuk e kishte të vështirë t’i bënte sfidë sistemit”.

Zoti Anderson shton se e folura e tij e thjeshtë, natyra miqësore dhe sensi i humorit pëlqeheshin nga njerëzit, por kishte shumë nga ata që nuk e vlerësonin shumë presidentin nga ana e inteligjencës. Për këtë arsye zoti Edwards lexoi me mijëra shënime dhe letra të presidentit, nga të cilat zbulohet natyra e tij shumë kureshtare dhe etja për njohuri:

“Shkova në bibliotekën e tij dhe fillova të shfletos të gjithë librat mbi historinë, politikën dhe ekonominë dhe vura re që jo vetëm ishin lexuar, por kishin edhe shënime dhe nënvizime. Pra Regani nuk ishte thjeshtë një personazh karizmatik, por edhe një konservator i mirëinformuar”.

Por ai nuk ishte dogmatik dhe nuk dinte vetëm të jepte urdhëra. Ai kishte edhe aftësinë të ndryshonte opinione, thotë Ken Tomlinson, kryetar i bordit të guvernatorëve të Byrosë Ndërkombëtare të Transmetimeve, i cili udhëtoi shpesh me presidentin gjatë fushatës së tij në vitin 1980:

“Konservatorizmi shihej me përçmim nga elita amerikane dhe ajo botërore. Pikërisht konservatorizmi është ndër arsyet që disa nuk e pëlqenin presidentit Regan. Por gjatë presidencës së tij, me aftësinë e tij komunikuese, ai arriti që edhe demokratët dhe liberalët ta pëlqenin personalisht”.

Zoti Regan u përqendrua në objektivin e përgjthshëm duke i lënë hollësitë në duart e të tjerëve. Kur vartësit nuk ndoqën kursin e parashikuar, ndodhi skandali Iran-Kontra: shitja e armëve që ishte parashikuar për Iranin me qëllim që të liroheshin pengjet që mbaheshin në Liban dhe përdorimi i fondeve për kryengritësit anti-komunistë në Nikaragua.

Ata që përpiqen të gjejnë rrënjët e ndjenjave anti-komuniste të zotit Regan, duhet të shohin me kujdes vitet e tij si aktor hollivudi, kur zoti Regan ishte kryetar i Shoqatës së Aktorëve të Kinemasë dhe anëtar i Partisë Demokrate. Gjatë protestave dhe grevave të aktorëve, ai u ndesh shpesh me organizatorët komunistë të këtyre protestave. Ata e kërcënuan shpesh dhe ai mbante një revole për vet-mbrojtje. Pas këtyre ngjarjeve, ai hyri në radhët e Partisë Republikane dhe filloi ngjitjen e qëndrueshme politike në postin e guvernatorit të Kalifornisë dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG