Lidhje

Ish presidenti Ronald Reagan nderohet me një ceremoni përkujtimore shtetërore - 2004-06-10


Ronald Reagan, i cili nga komentator sporti, u bë artist filmash e më pas politikan e më në fund president i Shteteve të Bashkuara, tani është vendosur në godinën e kongresit amerikane ku po i bëhen homadhe, presidenti i 10 amerikan që nderohet në këtë mënyrë.

Arkivoli me trupin e zotit Reagan fluturoi me një aeroplan presidencial nga Kalifornia në bazën e forcave ajrore në shtetin Maryland e pastaj kortezhi i makinave e solli trupin deri para Shtëpisë së Bardhë në bulevardin Kushtetuta, ku arkivoli u transferua mbi një arkë municioni, që u tërhoq nga një kalë pa kalorës, simbol i humbjes së komandantit të forcave të armatosura.

Pasi mbi godinën e kongresit fluturuan 21 aeroplanë ushtarakë, arkivoli u ngjit me ngadalë në 75 shkallët e jashtë të godinë si dhe disa të tjera brënda dhomës që përbën pjesën qëndrore të godinës dhe qendrën simbolike të demokracisë, rotonda.

Nën praninë e Nancy Reaganit dhe pjesëtarëve të familjes Reagan, kapelani i Dhomës së Përfaqësusve, i përndershmi Daniel Coughlin tha një lutje.

“Ronald Wilson Reagan pati shumë role në jetë, bashkëshort, baba e guvernator. Por roli i tij më i shquar në arenën ndërkombëtare ishte ai i presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkaura të Amerikës. Me stilin dhe hijeshinë e tij ai e bënte këtë detyrë të dukej e lehtë. Me dashurinë e tij dhe sencin e kohës ai përforcoi karakterin e vendit dhe ngjalli shpresën e një bote të errësuar.”

Eulogjitë për zotin Reagan u mbajtën nga senatori Ted Stevens, kryetar i përkohshëm i senatit, dhe nga kryetari i Dhomës së Përfaqësusve, Dennis Hastert.

Duke e cilësuar zotin Reagan një njeri të fatit, nën-presidenti Dick Cheney, i cili shërbeu në administrratën e ish presidentit Reagan në mes të viteve 1980-të, tha se zoti Reagan tregoi me fuqinë e karakterit dhe të besimit, udhëheqje të vërtetë dhe guxim deri në fund të jetës së tij.

“Ronald Reagan ishte më shumë se sa një figurë historike, ai ishte një njeri i shumëpritur, i cili erdhi në pushtet pikërisht në kohën që vendi dhe bota kishte nevojë për të. Dhe duke besuar ashtu si ai se një plan ishte në funksionim për ç‘do jetë, ai pranoi jo vetëm detyrat e mëdha që iu parashtruan, por edhe provat e mëdha që përjetoi në fund.”

Presidenti Bush nuk mori pjesë në ceremoni, pasi ai ndodhet në takimin e nivelit të lartë të grupit të tetëshes në shtetin Georgia.

Sot presidenti Bush do të presë Nancy Reagan në shtëpinë Blair, banesa zyrtare e mysafirëve pranë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Bush dhe gruaja e tij Laura kanë gjithashtu në plan t’i bëjnë homazhe më vonë gjatë ditës së sotme ish presidentit Reagan. Presidenti Bush dhe babai i tij, George Herbert Walker Bush, i cili u zgjodh president pas zotit Reagan në vitin 1989, do të jenë mes atyre që do të mbajnë eulogji për zotin Reagan në Katedralen Kombëtare në Washington. Nga kjo katedrale trupi i ish presidentit Reagan do të kthehet në Kaliforni, ku do të varroset në të perënduar të diellit në oborrin e bibliotekës, që mban emrin e tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG