Lidhje

Shqipëri, Kosovë: Homazhe për Reganin - 2004-06-11


Në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara organizoi ceremoni homazhesh në kujtim të ish presidentit amerikan Ronald Reagan.

Flamuri amerikan u ul në gjysmë shtizë dhe në mjediset e ambasadës u hap një libër ngushëllimesh ku sot lanë shënimet e tyre autoritetet më të larta të vendit dhe politikës.

Presidenti Alfred Moisiu i paraqiti të ngarkuarit me punë të ambasadës amerikane në Tiranë Steven Zate, ngushëllimet e sinqerta për humbjen e personalitetit të shquar duke shkruar në librin e ngushëllimeve se presidenti Reagan ishte vërtet një president i madh i cili i bëri një shërbim të shkëlqyer të gjithë njerëzimit duke luajtur rolin kryesor në fundin e Luftës së Ftohtë.

Ai, shkruan presidenti Moisiu, ishte njeriu të cilin populli amerikan e donte. Ndërsa kryeministri Fatos Nano në mesazhin e shkruar e cilësoi presidentin e 40 të SHteteve të Bashkuara si një luftëtar të lirisë dhe një nga kampionët më të mëdhenj të lirisë universale dhe demokracisë.

Në ambasadën amerikane për të shprehur ngushëllime ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sipas të cilit askush më shumë se R. Reagan nuk e ndryshoi Amerikën dhe botën.

Edhe në Kosovë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe vendas i kanë shprehur nderimet e tyre ish presidentit amerikan Ronald Reagan. Zyra amerikane në Prishtinë, te premten nuk punoi në shenjë zie. Gjatë javës ndërkaq udhëheqësit kryesor të Kosovës nënshkruan në librin e zisë.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka theksuar me këtë rast se Ronald Reagan ishte një president dhe njeri i madh që kontribuoi në shembjen e sistemit famkeq komunist. Qytetarët e Kosovës, tha ai, kanë një respekt të madh për presidentin Reagan, pasi që në kohën e tij, iu tregua një vëmendje më e madhe Kosovës dhe u vunë kontaktet e para të Prishtinës me Uashingtonin.

Presidenti Reagan ka kontribuar për krijimin e botës së lirë dhe kombeve të lira, e në këtë kuadër edhe të Kosovës, ka theksuar presidenti Rugova. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se presidenti Regan ishte një prej presidentëve më të sukseshëm të Shteteve të Bashkuara, i cili përballoi me sukses luftën e ftohtë dhe hapi rrugën për një botë më moderne dhe demokratike.

Ai diti të gjejë formën më të mirë, diti të bëjë zgjedhjet me racionale, por në të njëjtën kohë përkujtohet nga qytetarët amerikanë dhe popujt e tjerë në botë se ka qenë një njeri i pajisur me ndjenjën patriotike dhe humane, prandaj ka qenë një president i madh, i cili përkujtohet me respekt nga të gjithë”, theksoi kryeministri Rexhepi.

Edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike e vlerësuan lart personalitetin e ish presidentit Reagan i cili sic thonë ata, bëri që të rrëzohet Muri i Berlinit, të përfundojë një epokë e errët e komunizmit dhe u mundësoi të gjithë popujve, në veçanti të Evropës Lindore, asaj Qëndrore dhe Ballkanit që të zgjedhin rrugën e tyre drejt ndërtimit të një jete të lumtur, demokratike, në një Evropë të Bashkuar.//ii

XS
SM
MD
LG