Lidhje

Serbi: Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet presidenciale - 2004-06-13


Të dielën në Serbi u mbajtën zgjedhjet për president post për të cilin kanë konkurruar 15 kandidatë të propozuar nga dy koalicione, dy organizata dhe 11 parti politike. Ende nuk dihet nëse do të dalë sot emri i Presidentit, apo do të shkohet në raundin e dytë të zgjedhjeve pas 15 ditësh, nëse asnjë nga kandidatët nuk e ka fituar gjysmën e votave nga numri i pjesëmarrësve në votime.

Më shumë shanse për ta fituar garën kanë ultranacionalisti Tomisllav Nikoliq, reformatori Boris Tadiq dh konservatori Dragan Marshiqanin.

Edhe pse mbi 8.500 vendvotime në mbarë Serbinë duke përfshirë edhe 241 në Kosovë janë mbyllur në orën 20:00, sipas rezultateve të fundit të Komisionit Zgjedhor Republikan dhe Qendrës për zgjedhje të lira e demokraci – CESID, pjesëmarrja e qytetarëve në votime është më e ulët se ç’pritej, kurse votimet kanë kaluar pa ndonjë parregullsi.

Votimet për herë të parë janë organizuar edhe për diasporën serbe në 17 vende të botës dhe në burgjet e Serbisë. Deri në ora 19:00 në qendrat e votimit kanë shkuar rreth 45 përqind të qytetarëve me të drejtë vote nga mbi 6,5 milionë që janë regjistruar në listat e votimit.

Rezultatet e para jozyrtare do të bëhen publike pas orës 21:00. Në qoftëse asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar përqindje e nevojshme, atëherë dy kandidatët me më shumë vota shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve që duhet të mbahet më 27 qershor.

Këto zgjedhje konsiderohen si shumë të rëndësishme pasi Serbia është pa president që preh një viti e gjysëm, kurse votuesit duhet të vendosnin me votën e tyre mes kthimit të vendit në të kaluarën e errët dhe vazhdimit të reformave e të proceseve demokratike e integruese në strukturat evropiane.

Prandaj edhe gara kryesore, sipas anketave të opinionit dhe analistëve vendas, është zhvilluar midis Tomisllav Nikoliq, kandidat i partisë ultaranacionaliste serbe kryetari i së cilës Vojisllav Sheshel gjendet në burgun e Hagës, kandidatit të koalicionit në pushtet - Dragan Marshiqanin - përfaqësues i rrymës nacionaliste e konseravtore, Boris Tadiqit - përfaqësues i rrymës reformiste e proevropiane dhe miliarderit të njohur serb nga Kosova, Bogoljub Kariq.

Të gjitha anketat e deritashme thonë se në raundin e parë të zgjedhjeve asnjëri nga kandidatët nuk do të fitojë numër të mjaftueshëm votash kurse në raundin e dytë pritet të shkojnë Tomisllav Nikoliq dhe Boris Tadiq apo Dragan Marshiqanin, por nga kjo mundësi nuk përjashtohet as Bogoljub Kariq.

Serbia është pa president që nga dhjetori i vitit 2002 kur i mbaroi mandati presidentit të atëhershëm Millan Millutinoviq i cili tani gjendet në burgun e Gyjkatës së Hagës i akuzuar për krime të luftës në Kosovë.

Ndërkohë janë ndërruar pesë presidentë në detyrë dhe këtë funksion tani e ushtron kryetari aktual i parlamentit të Serbisë, Predrag Markoviq. //kk//

XS
SM
MD
LG