Lidhje

Intervistë me ish Kryeministrin Ilir Meta - 2004-06-15


Në Partinë Socialiste tashmë është zyrtarizuar ndarja në gjirin e saj. Konferenca e Tiranës duket se ishte ballafaqimi i fundit mes dy rrymave që s’mund të bashkëjetojnë më. Kryetari socialist Fatos Nano hoqi çdo dyshim për mundësinë e një pajtimi duke i konsideruar kundershtarët e tij të drejtuar nga ish Kryeministri Ilir Meta të pozicionuar jashtë partisë. Zoti Nano deklaroi se nuk do te kandidohet për deputet asnjë nga ata që kafshojnë dhe bërtasin kundër Partisë Socialiste. Grupi i deputetëve të kryesuar nga zoti Meta shpalli të hënën Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe po vazhdon një turne takimesh me elektoratin socialist në zona të ndryshme të vendit.

Intervistë me ish Kryeministrin Ilir Meta.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, bazuar në fushatën që keni ndërmarrë ju kohët e fundit dhe në komentet e Kryeministrit Nano, shumë në Shqiperi nuk shtrojnë më pyetjen në se ju do të formoni një parti apo jo, por kur do të ndodhë kjo. A jeni sot në gjendje t’i thoni publikut, të përgjigjeni më konkretisht se kur do të shkëputeni përfundimisht nga Partia Socialiste?

Ilir Meta: Dua t’i sigurojë të gjithë se nuk jam shkëputur aspak nga programi dhe nga vlerat e Partisë Socialiste, të cilat së bashku me shumë kolegë të tjerë, kam një kohë të gjatë që i mbroj. Unë përpiqem për të rikthyer Partinë Socialiste në programin dhe identitetin e vet politik, pasi është lidershipi aktual i Partisë Socialiste i kryesuar nga zoti Nano, që ka braktisur të gjitha vlerat programore dhe politike të Partisë Socialiste, që ka braktisur solidaritetin dhe drejtësinë sociale dhe që po nxit me politikat e gabuara të qeverisjes, polarizimin dhe diskriminimin social. Në këtë kuadër është edhe konferenca e fundit e Tiranës. Platforma për integrim që unë paraqita në emër të shumë socialistëve nga e gjithë Shqipëria, është shansi i fundit që ne i japim lidershipit aktual të Partisë Socialiste, i cili instaloi një pushtet tërësisht të mbyllur dhe autokratik në Kongresin e fundit të dhjetorit dhe aspak në mënyrë demokratike, që të kthehet në programin politik dhe në vlerat e vërteta që ka demonstruar Partia Socialiste në 12 vitet e fundit të aktivitetit të saj politik.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, më lejoni ta riformuloj pyetjen: për të mbrojtur këto vlera socialsite çfarë rruge do të ndiqni ju, pasi brenda partisë së tanishme socialiste duket se nuk ka vend më për ju?

Ilir Meta: Është e qartë se sipas koncepteve të klanit aktual që drejton Partinë Socialiste dhe që ka uzurpuar pothuajse gjithë strukturat e saj dhe të qeverisjes së vendit, i cili tashmë është bërë një klient pa kushte i oligarkëve të rinj, të cilët posedojnë në të vërtetë pushtetin politik dhe vendimarrjen e Partisë Socialiste dhe të qeverisjes, në këmbim të imunitetit politik për aferat e tyre, pra atje nuk ka vend as për mua, por as për gjithë socialistët ndaj të cilëve është ndjekur një politikë përjashtimi dhe eliminimi politik, në të gjitha nivelet prej më se një viti, proces që ka filluar në mënyrë sistematike, që përpara përzgjedhjes së kandidatëve për në pushtetin vendor, që më pas vazhdoi me konferencat vendore të Partisë Socialiste dhe që kulmoi me Kongresin e që pa dyshim gjithshka pas Kongresit është në linjën e filozofisë së përjashtimit që ai sanksionoi. Pra, më duket se platforma për integrim që ne kemi ofruar, edhe nga vetë emri i saj, synon që lidershipi aktual dhe ajo i bën thirrje në radhë të parë anëtarësisë së Partisë Socialiste, për ta distancuar Partinë nga Kongresi i dhjetorit, për të pranuar parimin një-anëtar-një-votë, që është parimi më demokratik, që është parimi më përfaqësues dhe parimi më integrues, i cili mund t’i bashkojë socialistët dhe pa dyshim edhe të zgjidhë konfliktin e interesave, që është problemi më madhor, që ka sot vendi, që ka qeverisja e vendit dhe që shprehet në të gjitha format dhe pasojat më negative me të cilat ndeshet sot shoqëria shqiptare. Natyrisht në se këto nuk pranohen, nuk reflektohet, sigurisht që ne kemi bërë të qartë edhe faktin se jemi të vendosur më pas, në bazë të kësaj platforme, për të ecur pëpara dhe për të përfaqësuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, që e mbështesin dhe që do ta mbështesin këtë platformë. Platforma nuk e dëshiron krijimin e partisë së re, por as nuk mund ta përjashtojë. Vendimtare është të pranohen propozimet e platformës për integrim.

Zëri i Amerikës: Le ta çojmë më tej këtë ide. Përvoja e deritanishme e Shqipërisë, ka treguar se partitë e treta, lëvizjet e vogla, kanë mbetur të vogla, pa ndikim të madh në jetën e vendit. A jeni i shqetësuar se, në se vjen puna për krijimin e një partie të tillë, levizja juaj mund të pësojë të njejtin fat?

Ilir Meta: Unë jam i shqetësuar, së bashku me të gjithë kolegët e mi, për situatën në të cilën ndodhet vendi, për bllokimin e të gjithë procesit të integrimit evropian, për faktin që Shqipëria ka dy vjet, që ka mbetur në kategorinë e dytë të vendeve për shkak të trafikut. Jemi të shqetësuar për rritjen e varfërisë, sigurisht që jemi të shqetësuar për këtë situatë të Partisë Socialiste, sepse kjo nuk është në të mirë, as të të gjithë socialistëve, por as në të mirë të vendit. Të kemi parasysh se në krahun tjetër qëndron ende një alternativë destruktive, do të thosha, siç është ajo e Berishës. Po pa dyshim, që për ne, më të rëndësishme janë bindjet tona dhe që nëpërmjet tyre t’i shërbejmë vendit, t’i shërbejmë kapërcimit të kësaj krize politike e morale në të cilën ndodhet shoqëria jonë, t’i themi jo këtij stagnacioni ekonomik dhe keqësimit të problemeve sociale, t’i themi jo kësaj varfërie, e cila në shumë zona të vendit po bëhet vërtetë migjeniane. Pa dyshim në se lidershipi aktual është i vendosur në politikën e vet të përjashtimit, do të mbajë gjithë përgjegjësinë për refuzimin e variantit të platformës tonë të integrimit dhe të bashkimit në bazë të principeve, në mënyrë transparente dhe pa dyshim, që ne do të konkurojmë në rast se konsumohen të gjitha përpjekjet e mëparshme dhe kemi shumë besim, se në se kjo do të ndodhë, gjë që ne nuk e dëshirojmë, por as nuk mund ta përjashtojmë se nuk varet prej nesh, pa dyshim, që kemi besim të plotë, se do të kemi një mbështetje shumë të gjerë dhe kjo nuk ka të bëjë fare me përvojat e mëparshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, akuzat që ju ngrini sot kundër qeverisjes socialiste dhe Kryeministrit Nano, u ngjajnë akuzave që zoti Nano ngriti ndaj jush, gjatë fushatës kundër qeverisë që drejtonit ju. Për qytetarin e thjeshtë në këtë rast bëhet disi e vështirë, se kë të besojë. Përse publiku duhet t’ju besojë ju sot?

Ilir Meta: Unë besoj se nuk asnjë lidhje midis këtyre që po ngre unë sot dhe atyre që ka ngritur zoti Nano përpara tre vitesh. Unë nuk jam përpjekur të fyejë askënd, as personalisht dhe as familjarisht. Po kështu gjithë problemet që unë dhe kolegët e mi kemi ngritur, janë bërë gjithmonë në rrugë parimore dhe në rrugë institucionale. Unë nuk kam filluar ndonjë fushatë për katarsis. Dihet që, që para një viti, kur unë ngrita për herë të parë këto shqetësime, të cilat nuk i ngre sot dhe madje kur unë isha në pozitën e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të jashtëm dhe të anëtarit të kryesisë, i ngrita në rrugë institucionale dhe jo nëpërmjet rrugës për t’u bërë presion institucioneve. Në rast se unë sot kam zbritur tek anëtarësia socialiste dhe tek publikun shqiptar, kjo ka ndodhur pasi kam bërë gjithë përpjekjet brenda institucioneve, pasi i kam konsumuar ato dhe pasi është bërë e qartë se atje nuk ka asnjë zgjidhje. Së dyti, mendoj se publiku mund ta gjykojë shumë mirë dhe në mënyrë më objektive dhe konkrete varfërinë sot, krahasuar me atë të dy viteve më parë, mund të krahasojë nivelin e investimeve publike sot, me atë të dy viteve më parë, por edhe mund të krahasojë moralin politik sot, me atë të dy viteve më parë. Pra fushata që bëri zoti Nano ishte thjesht politike, për të shkatërruar një qeveri, e cila kishte fituar zgjedhjet dhe e cila gëzonte mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, thjesht për arësye të endërrave, të synimeve të tij për pushtet, ndërsa unë që nga momenti që kam ngritur probleme në mënyrë institucionale në kryesinë e Partisë Socialiste, pikërisht vjet në qershor dhe gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kam synuar një pushtet personal. Pastaj fundi i katarsisit ishte pikërisht kongresi i dhjetorit, ku ministrat që ai i akuzoi më shumë për trafiqe, për kontrabandë dhe për trafik droge, në bazë të të dhënave që dispononte, siç pretendonte, nga ish prokurori Rakipi, sot i ka në qeveri dhe me të cilët mburret.

XS
SM
MD
LG