Lidhje

Trafiku njerëzor, një fenomen që s'mund të tolerohet - 2004-06-17


Asnjë vend s’është i paprekshëm nga trafiku njerëzor. Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2004, çdo vit rreth 600 mijë deri në 800 mijë burra, gra dhe fëmijë trafikohen përmes kufijve ndërkombëtarë dhe kjo tregëti po rritet.

Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se më shumë se gjysma e viktimave trafikohen për shfrytëzim seksual, ndërsa pjesa tjetër shfrytëzohen në reparte pune të rëndë, në ferma ose si shërbëtorë, si fëmijë-ushtarë si dhe në forma të tjera të shërbimit pa dëshirë.

Sipas llogaritjeve të Kombeve të Bashkuara përfitimet nga trafiku njerëzor renditen të tretat në listën e burimeve kryesore të rrjeteve të krimit të organizuar, pas trafikut të narkotikëve dhe armëve. Për më tepër, fitimet nga trafiku njerëzor mund të ushqejnë korrupsionin në qeveri dhe të minojnë shtetin ligjor.

“Sa më tepër mësojmë për viktimat më të dobëta, që shfrytëzohen nga këto krime,” tha Sekretari i Shtetit Colin Powell, “aq më e vështirë është të mos u kushtosh vëmendje.”

“Bëhet fjalë për gra dhe vajza disa prej tyre që nga mosha 6 vjeç, të cilat trafikohen për shfrytëzim seksual, burra që trafikohen për punë të detyruar, fëmijë të cilët trafikohen për t’u shfrytëzuar si ushtarë. Viktimat nuk janë të pakta dhe pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe fëmijë,” tha sekretari Powell.

Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, në 10 vende, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm viktimash, qeveritë nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të luftuar trafikun njerëzor. Në Afrikë: Guineja Ekuatoriale, Sierra Leone dhe Sudani. Në Amerikën Latine: Kuba, Ekuadori, Gijana dhe Venezuela. Në Azi: Bangladeshi, Birmania dhe Koreja e Veriut.

Por gjatë vitit të kaluar, tha zoti Powell, disa vende shënuan përmirësime në përpjekjet e tyre për të luftuar trafikun njerëzor. Këtu përfshihen Beliza, Bosnje-Hercegovina, Republika Domenikane, Gjeorgjia, Greqia, Kazakistani, Surinami, Turqia dhe Uzbekistani.

Trafiku njerëzor nuk do të zhduket brenda ditës. Por, tha Sekretari i Shtetit Powell, të gjitha shtetet duhet “të punojnë së bashku për të mbyllur rrugët e trafikimit, për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar trafikantët si dhe për të mbrojtur e ri-integruar viktimat në gjirin e shoqërisë.”

XS
SM
MD
LG