Lidhje

Irak: Sulmet e kryengritësve ndalojnë eksportet e naftës - 2004-06-17


Tubacioni i naftës i dëmtuar nga sulmi më i fundit i kryengritësve përdorej për të transportuar naftë nga një tubacion tjetër që ishte sulmuar nga sabotatorët vetëm disa ditë më parë.

Ja si shprehet tregëtari i naftës Raymond Carbone në kompaninë Paramount Options në New York.

“Nafta irakiane është gati të ndalojë plotësisht. Sulmet duket se janë të paepshme në objetivin e tyre për të ndërprerë eksportin e naftës.”

Nuk është e qartë se sa kohë do të mungojë nafta irakiane në treg. E qartë është se çdo ndërprerje e shitjeve të naftës do të thotë ndërprerje e të ardhurave për rindërtimin e Irakut. Frank Verrastro është analist i energjetikës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Pasojat do të jenë të rënda, një milion e 700 mijë, 1 milion e 800 mijë fuçi në ditë nuk do të hidhen në tregjet botërore. Në se dëmi është i madh, mund të duhen ndoshta 2 javë që tubacioni të riparohet. Në se dëmi nuk është i madh, tubacioni mund të riparohet brënda një jave ose 10 ditësh.”

Në të njëjtën kohë, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Alisha Ryu në Bagdad njofton se perona të armatosur vranë një zyrtar irakian i ngarkuar me sigurimin e puseve të naftës në pjesën veriore të Irakut.

“Policia në Kirkuk njoftoi se shefi i sigurimit për kompaninë e naftës në veri të vendit, Ghazi al-Talabani, ishte nisur për në punë kur sulmuesit hapën zjarr kundër veturës së tij. Shefi i sigurimit ishte kushëriri i Jalal Talabanit, udhëheqësi i njërës prej dy partive më të mëdha politike kurde dhe anëtar i Këshillit Qeverisës Irakian tanimë i shpërbërë.”

Dje, u krye gjithashtu një sulm tjetër vdekjeprurës kundër forcave amerikane. Tre ushtarë u vranë dhe autoritetet ushtarake amerikane njoftuan se më shumë se 20 të tjerë u plagosën kur një raketë goditi një bazë amerikane në veri të Bagdadit.

Ndërkohë që sulmet e kryengritësve nuk pushtojnë, presidenti Bush u tha disa mijëra trupave në Bazën e forcave amerikane ajrore MacDill në Florida, selia e komandës së ushtrisë për Lindjen e Mesme, se mision në Irak ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë pasi irakianët të marrin pushtetin më 30 qershor.

“Ne kemi shkuar në Irak jo për të luftuar, por për të çliruar një popull dhe do të qëndrojmë me ta deri sa ata të sigurojnë lirinë e tyre.”

Dje pati edhe një lajm pozitiv. Kleriku shiit, Maqtada al-Sadër, pasuesit e të cilit kanë luftuar kundër forcave të koalicionit që prej muajit prill, u bëri thirrje milicëve të tij që të kthehen në shtëpi. Kjo është një shenjë tjetër se ai mund të shqyrtojë mundësinë e përfundimit të kryengritjes së tij. Zyrtarët amerikanë ishin zotuar ta kapnin ose vrisnin klerikun al-Sadër nën akuzat për rolin që mund të ketë luajtur në vrasjen e një udhëheqësi rival shiit vitin e kaluar, por gjatë javëve të fundit ata nuk e kanë përsëritur këtë kërcënim.

//ze//

XS
SM
MD
LG