Lidhje

Irak:  40 të vrarë dhe 100 të plagosur nga shpërthimi i një makine bombë - 2004-06-17


Në Irak, të paktën 40 veta janë vrarë dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën kur një makinë me lëndë plasëse shpërtheu para një qendre rekrutimi në Bagdat, ku irakianët po prisnin për t’u regjistruar në radhët e ushtrisë së vendit.

Ky ishte një ndër shpërthimet më të fuqishme me makina-bombë në kryeqytetin irakian në disa muaj dhe ndodhi në të njëjtën qendër rekrutimi, ku afro 50 veta vdiqën në shkurt nga një shpërthim i mëparshëm.

Korrespondentja Alisha Ryu në Bagdat përshkruan çfarë ndodhi.

"Dëshmitarët thonë se një makinë e bardhë u afrua me shpejtësi në drejtim të portave të qendrës, ku prisnin në radhë rreth 100 veta, që prisnin për t’u futur në ndërtesë. Kur iu afrua ndërtesës, makina shpërtheu, duke shpërndarë gjymtyrë dhe copa metali në gjithë rrugën."

Sulme të tilla shihen si fushatë e kryengritësve, e cila ka në shenjestër irakianët që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me qeverinë e re të përkohshme, e cila u vendos për të udhëhequr vendin deri në zgjedhjet e përgjitshme të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë që kreyngritësit i kanë shkallëzuar përpjekjet e tyre për të ndërprerë tranzicionin politik, ministri i brendshëm irakian Falah al Niqib është zotuar se do të marrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë edhe vendosjen e shtet-rrethimit, nëse s’ka mënyrë tjetër për t’i dhënë fund kryengritjes.

"Nëse është e nevojshme do ta bëjmë. Nuk do të ngurojmë. Bëhet fjalë për sigurimin e vendit tonë dhe për jetën dhe sigurinë e popullit tonë."

Nëse Irakianët do të jetë apo jo në gjendje për të mbajtur sigurinë pasi të kenë në dorë drejtimin e vendit nuk është e sigurtë. Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes Paul Wolfowitz, i cili zhvilloi një vizitë të papritur në Irak, tha se forcat irakiane të sigurimit do të kenë nevojë për ndihmë me trupa të huaj edhe për disa kohë.

"E dimë se ende nuk janë të përgatitur për ta marrë plotësisht përsipër këtë detyrë, dhe derisa të vijë ai moment, ai mund të mbështeten tek ne."

Një anketë e zhvilluar muajin e kaluar me irakianët, me kërkesë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara arrin në përfundimin se pjesa më e madhe e të anketuarve kanë humbur besimin në forcat e huaja ushtarake në vend dhe do të ndjeheshin më të sigurtë nëse këto forca largohen nga Iraku.

Në New York, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan tha në një konferencë për shtyp se edhe ai mendon që dhuna vazhdon në një nivel tepër të lartë dhe nuk mund të mendohet dërgimi i një ekipi të përhershëm të organizatës në Irak, megjithëse OKB-ja mendohet se do të luajë një rol udhëheqës në tranzicionin politik.

"Bëj thirje që të bëhet ç’është e mundur për të vendosur sigurinë jo vetëm për kthimin e ekipit të OKB-së, por edhe për irakianët e thjeshtë, për rindërtimin dhe qëndrueshmërinë e Irakut."

Ndërkohë që vazhdojnë një sërë hetimesh lidhur me keqtrajtimin e të burgusurve irakianë nga ushtarët amerikanë, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld pohoi se ka dhënë urdhër për mbajtjen e një irakiani që dyshohej si terrorist për shtatë muaj pa njoftuar Kryqin e Kuq. Ky incident është objekt i një procesi hetimor, por zoti Rumsfeld nuk ka përjashtuar mundësinë që kjo çështje të përbëjë një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

//ze//

XS
SM
MD
LG