Lidhje

Shqipëri: Ambasadori i OSBE-së hedh poshtë zërat se po largohet nga konfliktet me politikanët vendas - 2004-06-18


Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen deklaroi të premten se është arritur një kompromis i kënaqshëm mes Partisë Socialiste dhe asaj demokratike lidhur me reformën zgjedhore. Ai tha se besonte se shumë shpejt parlamenti do të diskutojë mbi ndryshimet në kodin elektoral.

Këto deklarime ai bëri duke njoftuar largimin e tij nga detyra e kryetarit të opranisë së OSBE-së në Shqipëri. Ambasadori Lipponen hodhi poshte hipotezat sipas të cilave largimi i tij kishte të bënte me konfliktet me përfaqësues të lart të politikës shqiptare

Prej kohësh OSBE-ja, që më mbërritjen e rekomandimeve të ekspertëve të ODIHRI-it dhe Komisionit të Venecias për zgjedhjet, ka ndërmarrë një proces të ri negocimi mes dy partivë kryesore socialistëve dhe demokratëve.

Një proces për të cilin të gjitha palët kanë rënë dakort të mos bëjnë asgjë publike dhe që mesa duket po përballet me ulje ngritjet e humorit të politikës së dy partive. Ambasadori i Osbe-së Osmo Lipponen u shpreh sot megjithatë optimist:

“Është arritur një kompromis në një nivel të konsiderueshëm përsa i përket cështjeve zgjedhore. Ne kemi bërë punën tonë deri në këtë fazë dhe jemi në pritje të fazës tjetër. Dhe i takon tani partive, por besoj se brenda një të ardhme të afërt parlamenti do të nisë diskutimet për cështjet zgjedhore dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për këto bisedime”, shpjegoi ambasadori Lipponen sipas të cilit vullenti politik ekziston por është besimi mes palëve ai që mungon.

Ai iu kundërpërgjigj edhe kritikave të lëshuara nga partitë e vogla shqiptare për mospjesmarrjen e tyre në këtë proces. Këto të fundit po hartojnë edhe një deklaratë ku sulmojnë ambasadorin Lipponen se po tenton të deformojë spektrin politik shqiptar drejt një bipolarizmi absolut.

Sipas tyre mbështetja vetëm në dy partitë e mëdha ishte shkaku i problemeve që lindën në zgjedhjet e kaluar vendore. Por ambasadori i Osbe’së tha se edhe në rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar linja kryeosre është se duhet të përfshihen dy partitë kryesore në kompromise në mënyrë që ato të mbështesin ndryshimet që do i bëhen kodit zgjedhor. Një kompromis i tillë, tha ai duhet që të garantojë kushte optimale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit tjetër.

Ambasadori Lipponen u shfaq sot përpara shtypit për të sqaruar shkaqet e largimit të tij nga detyra. Ai hodhi poshtë dyhimet se e gjitha kjo lidhej me mosmarrëveshjet apo pakënaqësit e politikës shqiptare ndaj tij. Ambasadori shpjegoi se atij i është caktuar nga shteti i tij, Finlanda, detyra e konsullit në ambasadën në Nju Jork.

Zoti Lipponen megjithatë është gjendur jo pak herë përballë kritikave të shumta. Nuk ishin të paktë që u habitën nga një deklaratë e tij në Këshillin e përhershëm të OSBE-së në Vjenë se rritja e inflacionit në Shqipëri mund të çonte në revolta popullore. Ditët e fundit ai pati një përlasje edhe me socialistët për cështjen e ligjit të pronave, kur u shpreh se ky ligj nuk respektonte disa nga parimet bazë. Një vlerësim i cili solli kundërpërgjigjen e shumicës së majtë e cila i cilësoi këto vlerësime si të nxituara e të njëanshme dhe ndërhyrjet e tij në proceduart parlamentare si të pabazuara.

Edhe të premten ambasadori Lipponen i qëndroi vlerësimeve të tij mbi ligjin për pronat pavarësisht se saktësoi se në përgjithësi ligji ishte i mirë. Ai u shpreh ndër të tjerë se ndoshta ligji i miratuar do t’i rikthehet parlamentit nga presidenti, por i pyetur nga Zëri i Amerikës nëse ky ishte një veprim që sipas OSBE-së duhej bërë, ai u përgjigj se këtë fakt e kishte e marr vesh vetëm nga mediat dhe se kjo ishte dëshirë edhe e disa përfaqësuesve të politikës shqiptare.

XS
SM
MD
LG