Lidhje

Irak: Forcat amerikane sulmuan një vendstrehim në Falluxhah të Abu Musab al-Zarkawit - 2004-06-20


Forcat amerikane në Irak sulmuan, siç thanë ata, një vendstrehim në qytetin Falluxhah të udhëheqësit terrorist Abu Musab al-Zarkawi, i cili ka lidhje me Al-Kaidën.

Banorë të qytetit thanë se të paktën 20 civilë, përfshirë gra e fëmijë, u vranë në sulmin e djeshëm, kur një avion luftarak amerikan qëlloi me raketa një zonë banimi, duke shkatërruar të paktën dy shtëpi.

Gjenerali amerikan, Mark Kimit, tha se forcat amerikane kishin informacion zbulimi se disa anëtarë të rrjetit të Zarkawit ishin në shtëpi në kohën e sulmit. Ai tha se sulmi shkaktoi shpërthime sekondare, kur municioni i grumbulluar në shtëpi shpërtheu.

Ndërkohë, zyrtarë të Pentagonit thonë se një ushtar amerikan u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me kryengritës në afërsi të Bakubës, në veri të Bagdadit. Dhe në jug të vendit, një roje portugeze sigurimi dhe një polic irakian u vranë nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës. Ndërsa zyrtarët në Bejrut thanë se rrëmbyes irakianë liruan një peng libanez.

Ndërkohë, një delegacion senatorësh amerikane nga të dyja partitë politike bënë një vizitë të papritur në Bagdad, ku u takuan me kryeministrin e përkohshëm të Irakut, Iyad Allawi.

Dy senatorë demokratë, Tom Daschle dhe Joseph Biden, si dhe senatori republikan Lindsay Graham shkuan në Bagdad në shenjë mbështetjeje për operacionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në rajon.

Në Bagdad, senatorët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i falin Irakut borxhet dhe të shtojnë ndihmat për atë vend. Senatori Lindsay Graham tha se populli irakian ka vuajtur shumë dhe ka nevojë për të gjithë ndihmën që mund t’i ofrohet.

//ze//

XS
SM
MD
LG