Lidhje

Ligjvënësit amerikanë bëjnë thirje për rritjen e ndihmave ndërkombëtare për qeverinë e përkohshme të Irakut - 2004-06-20


Një grup senatorësh amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, bashkuan zërat për të theksuar se, me ardhjen në fuqi të një qeverie të përkohshme irakiane dhe me kalimin e sovranitetit që pritet të realizohet brenda pak ditësh, ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet për të rindërtuar Irakun dhe për të rikthyer sigurinë në këtë vend.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Bill Frist foli dje në emisionin televiziv “Fox News Sunday.”

“Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet për të ndihmuar Irakun. Do të dëshiroja që Natoja të angazhohej në mënyrë më aktive,” tha senatori Frist.

Këtyre komenteve u bëri jehonë edhe senatori demokrat, anëtar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Joseph Biden. Senatori nga shteti Delaware foli në emisionin “This Week” pas një vizite që bëri disa ditë më parë në Irak.

“Ka ardhur koha që Natoja, veçanërisht Franca dhe Gjermania, të angazhohen. Për vite me radhë këto vende shprehën ankesa lidhur me vuajtjet që po i shkaktonin popullit irakian sanksionet e Natos. Nëse tani nuk i përgjigjen thirjes së kryeministrit të përkohshëm irakian Iyad për ndihmë, ata do të tregoheshin të papërgjegjshëm.”

Në fillim të muajit, presidenti francez Zhak Shirak shprehu rezerva lidhur me propozimin amerikan për të rritur rolin e Natos në Irak, duke thënë se angazhimi i Aleancës duhet të rritet vetëm nëse qeveria sovrane e Irakut kërkon ndihmë. Dje, kryeministri i përkohshëm irakian Iyad Allawi i bëri thirje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë për të stërvitur dhe pajisur forcat irakiane të sigurimit.

Senatori Biden tha se mbarë komuniteti ndërkombëtar do të vuajë pasoja nëse nuk vendoset demokracia në Irak.

“Të shkëmbejmë Sadam Huseinin për një ajatollah, ose të shkëmbejmë Sadam Huseinin për një luftë civile, apo të shkëmbejmë Sadam Huseinin për kaos në rajon, asnjë nga këto nuk janë alternativa të mira. E gjithë bota duhet ta kuptojë këtë,” tha senatori Biden.

Kohët e fundit ishte në Irak edhe Senatori nga Karolina e Jugut Lindsey Graham, i cili thotë se tensionet e mëparshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre lidhur me vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak, duhet të kapërcehen.

“Nuk ishte gabim rrëzimi i Sadam Huseinit. Por Shtetet e Bashkuara gabuan në llogaritjet e tyre lidhur me numrin e trupave që nevojiten në Irak. Në disa raste e kemi vështirësuar sigurimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Por këto i përkasin së kaluarës. Tani ka ardhur koha që Natoja të ndihmojë aty ku mundet,” tha senatori Graham.

Zoti Graham shtoi se në Irak mbetet ende shumë punë për t’u bërë, përfshirë edhe në misionet jo-ushtarake si rindërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së vendit.

//ze//

XS
SM
MD
LG