Lidhje

Xhejms Bejker me shqiptarët në Nju Jork: ”Liria jep fryte” - 2004-06-21


Të premten në Nju Jork, shqiptaro-amerikanët patën rastin të rikujtojnë atë ditë qershori 13 vjet më parë, kur ish sekretari amerikan i shtetit, James Baker u prit me entusiazëm të paparë në sheshin qendror të Tiranës. Zoti Baker, njeriu i cili për një kohë të gjatë ka qenë figurë aktive në politikat presidenciale të Amerikës, u bë sekretari i parë amerikan i shtetit që vizitonte Shqipërinë dhe kjo vizitë do të shënonte fillimin e marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-amerikane. Në një ceremoni të organizuar në Nju Jork, zoti Baker u nderua me çmim nga komuniteti shqiptar.

Zoti James Baker, ish sekretar i shtetit në kohën e Presidentit George Bush, erdhi në Hotelin Plazza të Nju Jorkut për të marrë Çmimin Duart e Shpresës, i cili jepet çdo vit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Çmimin e kanë marrë më parë figura të tilla të politikës amerikane si Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Bob Dole.

Këshilli Kombëtar shqiptaro amerikan nderoi të premten me çmimin ”Arritje të jetës” edhe biznesmenët dhe filantropët Ekrem Bardha dhe Peter Kole, që të dy figura të njohura të komunitetit.

Në ceremoni ishin edhe zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Namik Dokle dhe kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci.

Duke u lidhur me figura të tilla të rëndësishme deri në presidentë dhe sekretarë shteti, komuniteti shqiptar i Amerikës shpreson të rrisë ndikimin e tij në politikën amerikane.

”Aktiviteti ka disa aspekte si qëllim - të bashkojë komunitetin, të nderojë figura që kanë ndihmuar komunitetin por edhe çështjen shqiptare. Zoti Baker është një figurë e jashtëzakonshme, një shembull i lirisë dhe i vlerave amerikane,” tha Martin Vulaj, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Ish Sekretari Baker kujtoi atë ditë qershori të vitit 1991, kur rreth gjysmë milioni njerëz të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës e pritën atë me thirrjet entusiaste USA, USA, USA.

Në këtë fjalim që mbajti atëhere në Tiranë, sekretari Baker theksoi idenë se liria jep fryte.

”Dua t’ju them sonte pas 13 vjetësh se liria që fitoi Shqipëria është një pjesë shumë e veçantë dhe e rëndësishme e jetës sime,” tha zoti Baker.

Zoti Baker tha se njerëzit në Tiranë brohorisnin si reagim ndaj fjalëve të tij, por merita kryesore për këto fjalë, shtoi ai, i takon ish Presidentit Ronald Reagan.

Ai tha se Presidenti Reagan ka hedhur bazat e shumë demokracive të reja që kanë lindur në botë.

Vetë zoti Baker ka punuar për një kohë të gjatë në administratën e Presidentit Reagan. Ai ka qenë sekretar i thesarit dhe shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë si dhe ka drejtuar me sukses fushatën për rizgjedhjen e presidentit Reagan.

Ish sekretari i shtetit tha se shumë njerëz, qofshin ata amerikanë apo shqiptarë ose edhe afganë i kanë një borxh mirënjohjeje Presidentit Reagan. Dhe Shqipëria, tha ai, të paktën në një aspekt po shlyen një pjesë të këtij borxhi:

”Shqipëria mbështeti me gjithë zemër Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorit. Shqipëria ka dëbuar ekstremistët islamikë dhe po jep mbështetje ushtarake dhe diplomatike për operacionet e Shtetet e Bashgkuara në Afganistan dhe në Irak. Aktualisht, Shqipëria ka një personel ushtarak prej 71 vetësh në Irak, për të ruajtur xhamitë dhe objekte të tjera. Njerëzit e lirë, tha zoti Baker, kanë një detyrë morale për të ndihmuar të tjerët të çlirohen nga regjimi autoritar dhe shqiptarët e kuptojnë këtë më së miri.”

Zoti Baker tha se rruga e Shqipërisë pas vitit 1991 nuk ka qenë e lehtë. Ai përmendi vështirësitë e njëpasnjëshme që ka kaluar vendi, sidomos krizën që shoqëroi rënien e skemave piramidale.

Në fjalimin e tij ai tha se megjithatë, Shqipëria është në gjendje t’i kapërcejë problemet e saj. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të krijojnë një sistem të mirë ligjesh.

”Nuk mund të arrish në një sistem shtypi të lirë dhe në demokraci të vërtetë pa një sistem ligjesh që të jetë transparent dhe funksional. Megjithë vështirësitë e dekadës së fundit, tha zoti Baker, shqiptarët vazhdojnë t’i ruajnë idealet e demokracisë sepse ata e dinë që liria jep fryte. 13 vjet pas këtyre fjalëve që thashë për herë të parë në Tiranë, ju falenderoj për rastin që më dhatë t’i përsëris këto fjalë, sepse liria vërtet jep fryte.”

Zoti Baker është aktualisht i ngarkuari i presidentit Bush për të ristrukturuar borxhin e Irakut.

XS
SM
MD
LG