Lidhje

F. Merill - President i Ex-Im Bank: Shqipëria duhet të mbajë korrupsionin nën kontroll - 2004-06-22


Banka e Eksport Importit është agjencia zyrtare e kreditimit të eksporteve të Shteteve të Bashkuara. Financimi i eksporteve amerikane nga kjo bankë ndihmon kompanitë amerikane të konkurojnë me sukses në ekonominë e sotme globale, veçanërisht në vendet në zhvillim që ofrojnë mundësi të pashfrytëzuara për rritjen e eksporteve amerikane. Drejtori Ekzekutiv dhe Presidenti i kësaj banke, Filip Merill, ishte kohët e fundit në Shqipëri për të diskutuar me autoritetet mbi mundësitë e bashkëpunimit tregëtar mes dy vendeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Merill thotë se Shqipëria sot paraqet shumë më pak rrezik se më parë për invesitme, por ky vend, thotë ai, do të përparonte shumë më tepër, në se do të mbahej korrupsioni nën kontroll dhe në se qeveria do të arrinte të shfrytëzonte paratë që qytetarët i mbajnë në shtëpi, jashtë institucioneve financiare. Me zotin Merill bisedoi Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Zoti Merrill gjatë vizitës në Shqipëri ju thatë se Banka e Export Importeve mund të luajë një rol të rëndësishëm për blerësit shqiptarët dhe eksportuesit amerikanë. Për çfarë roli është fjala?

Filip Merrill: Ne ofrojmë hua afat gjata për eksportet amerikane me interesa të favorshme, pasi ato janë të garantuara nga qeveria amerikane. Pra në se Shqipëria ble nga ne, pra ble eksporte amerikane, ne mund të ndihmojmë për zhvillimin e Shqipërisë. Dhe të them të drejtën në vend kishte shumë më tepër para se sa kisha krijuar përshtypjen para vizitës.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga projektet e Bankës që drejtoni ju, në Shqipëri?

Filip Merrill: Programi më i madh është ai i kontrollit të sistemit të trafikut ajror. Po ashtu, po flitet edhe për një program të firmës General Electric në fushën e transportit, për një rrjet hekurudhor më modern. Ka plane për projekte energjitike në jug të Shqipërisë. Të gjitha këto janë në diskutim e sipër.

Zëri i Amerikës: Çfarë rreziku paraqet Shqipëria për investitorët e huaj?

Filip Merrill: Shqipëria paraqet sot shumë më pak rrezik se më parë. Ka një klasifikim ndërkombëtar për këtë. Nuk e mbaj mend se sa pikë ka Shqipëria në këtë klasifikim, por është brenda kuadrit të rrezikut, që një bankë do të pranonte të bënte biznes duke dhënë hua, në se kjo hua garantohet nga një bankë shqiptare ose nga qeveria shqiptare.

Zëri i Amerikës: Një nga projektet për të cilët po flitet në Shqipëri është ndërtimi i një hekurudhe moderne midis Tiranës dhe Durrësit me pjesëmarrjen e kompanisë amerikane General Electric. A është banka juaj e përfshirë në këtë projekt? Ka kritikë në Shqipëri që thonë se një projekt i tillë është i mirë, por është një projekt luksoz, Shqipëria ka të tjera nevoja të tjera më urgjente se kjo. A bën banka tuaj ndonjë studim rentabiliteti?

Filip Merrill: Jo, kjo nuk është puna jonë. Ne merremi me blerësa dhe shitësa për eksportuesit amerikanë. Në se Shqipëria vendos për këtë projekt dhe në se dëshiron të përdorë shërbimet e firmës General Electric, ne do ta financojmë atë. Efektshmërinë e projektit duhet ta studiojnë vetë shqiptarët dhe jo ne.

Zëri i Amerikës: Sa të përfshirë jeni ju në projektet për të cilat jepni hua?

Filip Merrill: Ajo që kërkojmë ne është garanci të arësyeshme pagese për huanë. I takon Shqipërisë të vendosë për përparësitë e saj të zhvillimit. Ne nuk i themi Shqipërisë ndonjë gjë më shumë, se sa i themi për shembull, shtetit të Miçiganit këtu se ku t’i ndërtojë rrugët e hekurudhat e veta. Në se në të përfshihet një prodhim amerikan, një eksport amerikan dhe ka siguri pagese, kjo është detyra jonë. Pra e thënë shkurt, i takon Shqipërisë të vendosë se çfarë do të bëjë me rrugët, me hekurudhat dhe me paret e veta.

Zëri i Amerikës: Si do ta vlerësonit bashkëpunimin nga ana e qeverisë shqiptare?

Filip Merrill: Kryeministri Nano ishte shumë mikëpritës, së bashku me kabinetin e tij. Unë u takova pothuajse me të gjithë. Ata ishin shumë të interesuar për investime të huaja të drejtëpërdrejta dhe për këtë ne shkuam atje. Unë në fakt u habita për dy gjera; e para, bankierët e huaj dhe në përgjithësi ekonomistët e huaj, thonë se Shqipëria ka një prodhim të përgjithshëm prej rreth 1 mijë dollarësh për frymë, e krahasueshme me një ekonomi të re në vendet aziatike ose në Afrikë. Por kur fluturova me helikopter mbi Tiranë për në jug të Shqipërisë pashë shumë ndërtesa të larta që po ndërtoheshin dhe njerëzit më thanë se të gjitha ato financoheshin praktikisht me para në dorë. Kjo tregon se të ardhurat janë më të larta se 1 mijë dollarë për frymë. Shqipëria ka qënë një shoqëri e mbyllur, njerëzit i mbajnë paratë në shtëpi dhe përshtypja ime është se vendi është më i pasur se sa tregojnë shifrat. Përshtypja e dytë është se një vend i mbyllur si ndaj lindjes edhe perëndimit, është tani më se i interesuar për investime të huaja, për krijimin e një ekonomie tregu perëndimore. Ne jemi të gatshëm të bëjmë biznes atje. Në Shqipëri ka probleme politike. Nuk po them se atje është një shoqëri e përkryer ose jo e përkryer. E vetmja që po theksoj, është se ne hyjmë në marrëdhënie biznesi vetëm me vende që kanë ekonomi tregu të lirë, ku investimet e huaja mirëpriten, pasi ato ndihmojnë në zhvillimin e këtyre vendeve. Ndërsa situata është ndryshe në shoqëritë ku gjithshka kontrollohet nga shteti.

Zëri i Amerikës: A paraqet korrupsioni në Shqipëri problem për investimet tuaja?

Filip Merrill: Në shumicën e vendeve ku ekonomia e tregut është duke lindur, problemi më i madh është ai i korrupsionit. Në se kjo del në dokumentet financiare, ose në studimet tona për projektet e ndryshme, ne do të tërhiqemi nga projekti.

Zëri i Amerikës: Sa e aftë është Shqipëria të thithë investime të huaja?

Filip Merrill: Ne nuk japim para falas. Ne japim hua dhe marrim mbrapsht 98 përqind të tyre. Sipas standarteve bankare, 2 përqind falimentim është një shifër e vogël, banka është me fitim. Sa e aftë është Shqipëria? Është shumë e aftë, pasi tani ndërtimet me hua atje nuk njihen dhe biznesi bëhet me para në dorë. Interesat për vende si Shqiperia janë të larta. Në se përdorim një vend tjetër për krahasim, Ukrainën për shembull, interesat janë 14 - 15 përqind. Ky është interesi për shumicën e vendeve në zhvillim. Ndërsa kur merr hua nga Shtetet e Bashkuara për të blerë mallra amerikane, interesat janë më të ulta, rreth 2 përqind, plus një tarifë rreth 8-9 përqind për një hua 10 vjeçare, që e çon interesin real në 3 - 4 përqind, pra është në interes të Shqipërisë të blejë prej nesh. Kuptohet në se dëshiron mund të marrë hua nga ndonjë vend tjetër si Britania, Gjermania, ose Italia. Por në se merr nga ne, siç është rasti i projektit të General Electric, ose i kontrollit ajror, interesat janë të favorshme. Ose e thënë ndryshe, asnjë bankë nuk mund t’i japë kredi të tilla të favorshme Shqipërisë, pa garanci qeveritare këtu në Uashington.

Zëri i Amerikës: Kjo është hera e parë që ju keni qënë që Shqipëri. A mund të më jepni përshtypjet nga ky vend?

Filip Merrill: Shqipëria është një vend i gjallë. Qeveria është pro perëndimore, e orientuar nga ekonomia e tregut, nga Evropa perëndimore. Ka një bregdet të bukur, me mundësi të mëdha turizmi. Shqipëria, është më e pasur nga sa tregojnë shifrat. Korrupsioni është e qartë se përbën problem. Por i dalë nga një izolim 50 vjeçar dhe në biznes vetëm për 10 vjet, probleme do të ketë. Edhe Amerika 10 vjet pas pavarësisë kishte plot probleme, na u desh pak kohë. Edhe Shqipërisë do t’i duhet kohë për të krijuar një shoqëri transparente, të hapur. Por udhëtimi i gjatë fillon me një hap të vetëm. Në se qeveria e kontrollon korrupsionin dhe në se arrin të vejë në shfrytëzim paratë e qytetarëve dhe në se investon për zhvillimin në mënyrë inteligjente, në se i përcakton qartë përparësitë, Shqipëria është një vend i vogël, nuk ka arësye pse pas 20 ose 30 vjetësh të mos bëhet e pasur, të paktën aq sa Kosta Rika, ose edhe sa Zvicra. Kjo arrihet, por është në dorë të vetë shqiptarëve për ta arritur.//ii

XS
SM
MD
LG