Lidhje

Shënjat e gishtave për vizë amerikane - 2004-06-24


Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se duke nisur që nga dita e sotme për të gjithë kërkuesit e vizave të udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara ajo do të aplikojë marrjen e shenjave të gishtërinjve. Kjo procedurë ka nisur të zbatohet në Shtetet e Bashkuara që në fillim të këtij viti në 115 aeroporte dhe 14 porte detare kryesore.

Në një njoftim publik ambasada amerikane shpjegon se skanerat dixhitalë të gishtave të aplikuesve për vizë do të mblidhen dhe do të kontrollohen me një databazë kriminelësh të njohur dhe të dyshuarve për terrorizëm. Skanimi i shenjave të gishtave dhe përfshirja e të dhënave biometrike në shënimet e udhëtimit do ta lehtësojë zëvendësimin e dokumentave të udhëtimit të humbura apo të vjedhura.

Në qoftë se aplikuesit i jepet viza dhe udhëton për në Shtetet e Bashkuara, në portin e hyrjes atij i merren përsëri të dhënat biometrike dhe përdoren për të verifikuar identitetin e vizitorit duke i krahasuar ato me të dhënat e marra në kohën kur është lëshuar viza. Kjo siguron që vizitori është i njëjti person që ka marrë vizën.

//rd//

XS
SM
MD
LG