Lidhje

2006 ose 2007, objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato - 2004-06-24


Eksperti i problemeve të Natos, Bruce Jackson, thotë se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë arritur shumë në përpjekjet e tyre për t’u pranuar në Nato dhe se viti 2006 ose 2007 është një objektiv realist që ato të ftohen për t’u anëtarësuar. Zoti Jackson, i cili ishte kohët e fundit në Shqipëri, është President i Projektit për Demokracitë në Tranzicion si dhe president i Komisionit amerikan për Naton, organizatë që nxit anëtarësimin në Nato të vendeve në tranzicion.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët shqiptarë përgjithësisht flasin me shumë optimizëm për samitin e Stambollit dhe për perspektivën e pranimit të Shqipërisë në Nato, brenda vitit 2007. Sa realiste janë këto shpresa?

Bruce Jackson: Mendoj se janë jashtëzakonisht realiste. Shqipëria dhe partnerët e saj në Kartën e Adriatikut - Kroacia dhe Maqedonia kanë patur një periudhë shumë të suksesshme 18 muajshme pas takimit të Pragës që u mbajt në fund të vitit 2002. Ato janë dalluar me kontributet për luftën në Irak, pastaj me marrëveshjet kornizë të Ohrit dhe gjithashtu po ndërtojnë një strukturë të fortë midis tyre dhe Evropës Perëndimore e Amerikës. Pra ky ka qenë një vit i mbarë për to dhe këto vende po shkojnë në Stamboll me shpresën realiste se kjo do të vlerësohet zyrtarisht nga aleanca dhe mund t’i bëjë ato të pranohen në Nato në raundin tjetër, gjatë viteve 2006 dhe 2007, në varësi nga procesi i ratifikimit. Mendoj se ato duhet të jenë krenare për veten e tyre.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ulje-ngritjet në politikën shqiptare janë bërë diçka e zakonshme gjatë viteve të fundit. Shikojmë luftra të ashpra politike midis partive por edhe brenda partisë në fuqi. Këto kanë çuar në mosfunksionimin e institucioneve, sidomos të parlamentit diçka që nuk përputhet me premtimet në Kartën e Adriatikut. Sa mund t’i dëmtojnë këto gjëra perspektivat për pranimin në Nato.

Bruce Jackson: Është e qartë se gjykimi për t’u pranuar ose jo në Nato nuk është aspak gjykim për përgatitjen ushtarake të vendit. Sepse ministri Pandeli Majko ka bërë tashmë një punë të jashtëzakonshme për reformën ushtarake. Ky është edhe një gjykim për pjekurinë e demokracisë në përgjithësi. Vazhdimi i korrupsionit në jetën ekonomike dhe politike të vendit është një problem me përmasa historike, një problem me të cilin janë ndeshur edhe demokracitë e reja si Rumania, Bullgaria, Sllovakia apo Polonia, të cilat vazhdojnë të përballen me korrupsionin që është pasojë e trashëgimisë së komunizmit dhe konfliktit. Pra, unë nuk shqetësohem në mënyrë të veçantë se kjo mund ta prishë krejt procesin. Natyrisht ne dëshirojmë të shohim më tepër reforma dhe punë për zbatimin e tyre. Përsa i përket nivelit të papjekur të parlamentit, kjo është dukuri mjaft karakteristike e demokracive që lindën pas vitit 1989. Mendoj se çdo parlament në Evropën juglindore ndoshta duhet konsideruar si i papjekur po të nisesh nga standardet franceze dhe britanike. Por kjo do të kërkonte një brez të tërë përpjekjesh politike dhe zgjedhje të shumta për t’u përmirësuar.

Zëri i Amerikës: Politikanët shqiptarë shpesh përmendin politikën e dyerve të hapura të Natos për të treguar se pranimi është i sigurt. Mendoni se politikanët po e shfrytëzojnë çështjen e Natos për qëllime politike? Ju ishin kohët e fundit në Shqipëri, ç’mund të na thoni?

Bruce Jackson: Askush nuk fiton nga politizimi i procesit për të kërkuar anëtarësimin në Nato. Kjo është një përpjekje shumëvjeçare që kërkon pjesmarrjen e të gjitha partive dhe të parlamentit për të patur sukses. Ështç e qartë se ka vetëm tre kandidatë - vende ish komuniste për raundin tjetër të pranimeve - Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Që të treja po hyjnë në vitin e tretë të planit të aksionit për anëtarësimin dhe po marrin vlerësime pozitive në Bruksel. Të gjithë po thonë se ato patjetër do të anëtarësohen në Nato dhe tani për tani debatet janë vetëm për kohën se kur do të pranohen. Këtë nuk mund ta thotë as Ukraina, as Serbia dhe as Georgia. Në të kuptim, Shqipëria dhe partnerët e saj kanë të drejtë të thonë se dera është e hapur për to, madje më shumë se e hapur. Atyre po u thonë ”hyni ju lutem”. Shpresojmë se në takimin e Stambollit do të shikojmë një deklaratë të fortë që do ta konfirmojë këtë si dhe referenca për të theksuar nevojën që këto vende të ftohen për t’u pranuar në Aleancë qysh në takimin e nivelit të lartë të vitit 2006.

Zëri i Amerikës: Shumica e shqiptarëve do të dëshironin që Shqipëria të hynte në Nato. Si do të përfitonte Shqipëria si anëtare e Natos?

Bruce Jackson: Shpresat se Natoja do të ndryshojë realitetin ekonomik apo të biznesit janë të rreme, janë një keqkuptim për rolin e Natos. Në thelb, Natoja është një sistem sigurimi me të cilin demokracitë euroatlantike u bashkuan për të garantuar siguri dhe stabilitet për të gjithë. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për Shqipërinë në luftën e saj për reformën ekonomike apo për luftën kundër korrupsionit. Ajo që na duhet ne është ngritja e një sistemi sigurie në Ballkan në mënyrë që vende si Shqipëria të mund të gjejnë rrugën e tyre ekonomikisht. Ky është një parakusht. Por shqiptarët duhet ta kuptojnë se Natoja nuk do të vijë me kamionë, me çeqe apo me viza. Kjo do të realizohet me anë të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian në të ardhmen. Natoja garanton një bazë sigurie dhe stabiliteti mbi të cilën Shqipëria dhe fqinjët e saj mund të realizojnë aspiratat e tyre evropiane.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, përse Natoja do të donte që Shqipëria të ishte anëtare e saj?

Bruce Jackson: Mendoj se dy kriteret për Naton janë shkëmbimi i vlerave të qytetërimit perëndimor dhe gatishmëria për të marrë përgjegjësinë në mbrojtjen e këtyre vlerave. Kur lexoj librat e Ismail Kadaresë e kuptoj se në shpirtin e shptarëve ka të njëjtat vlera që na bashkojnë ne Perëndimin. Së dyti, kur shikojmë kontributin e Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse në Irak, askush nuk dyshon se shqiptarët do ta marrin përsipër barrën për të mbrojtur lirinë siç duhet të bëjmë ne të gjithë. Prandaj, amerikanët dhe aleatët e tjerë të Natos janë të impresionuar mjaft nga kurajoja dhe përgjegjshmëria e Shqipërisë. Edhe në rajon, Shqipëria ka bërë shumë gjëra të mira duke mbështetur zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ose qendrimi i drejtë që Shqipëria mbajti ndaj ngjarjeve të Mitrovicës gjë që është një deklaratë pjekurie. Mendoj se shqiptarët u ofrojnë amerikanëve një aleat të qendrueshëm dhe të fortë dhe kjo është diça që i duhet Aleancës Atlantike.

XS
SM
MD
LG