Lidhje

Një zyrtare amerikane nuk parashikon të caktohet ndonjë afat që Shqipëria të ftohet në NATO - 2004-06-27


Takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Stamboll do te jetë i pari i këtij lloji për 7 vendet e reja që u bënë anëtare të aleancës para 18 muajsh. Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia presin që në këtë takim të ftohen për t’u anëtarësuar brenda vitit 2007.

Sipas Mira Ricardelit, ndihmës sekretare amerikane e mbrojtjes për politikat e sigurisë ndërkombëtare, aleanca i ka dyert e hapura për çdo demokraci evropiane dhe tre vendet ish komuniste do të inkurajohen të vazhdojnë rrugën e reformave.

Ndihmes sekretarja amerikane e mbrojtjes për politikat e sigurimit ndërkombetar tha në një diskutim në Institutin Amerikan Enterprise se në takimin e Stambollit, aleanca do të inkurajojë Shqiperinë, Kroacinë dhe Maqedoninë të vazhdojnë rrugen drejt realizimit të standardeve për t’u anëtarësuar në NATO.

Por ndërsa zyrtarët shqiptarë presin të ftohen për t’u anëtarësuar në takimin tjetër të rradhës, zonja Mira Ricardel shpjegon:

“Aleanca e Natos do të theksojë me forcë në këtë takim se dyert për anëtarësim mbeten të hapura. Por politika e anëtarësimit në aleancë është ajo e përparimit që bëjnë vendet drejt reformave kështu që nuk pres të caktohet ndonjë afat kohor. Anëtaresimi do të bëhet duke u bazuar në arritjen e standardeve”, tha zonja Ricardel.

Në konferencën e organizuar nga Instituti American Enterprise, ekspertët thanë se presin që takimi i Stambollit të thellojë bashkepunimin ndëratlantik, të lerë mënjanë mosmarrëveshjet Amerikë-Evropë dhe të përqëndrohet në problemet e tanishme si nevoja e një roli më të madh të NATO-s në Irak dhe zgjerimi i misioneve paqeruajtëse në Afganistan. Por, a do t’i duhet NATO-s të pakësojë praninë e saj në Ballkan?

Ekspertja Ricardel pohoi se në vende si Bosnja, prania do te pakësohet pasi janë shënuar përparime. Në një të ardhme të afërt nuk do të ketë nevojë për misione paqeruajtëse por për lloje të tjera ndihmash përfshi reformat në mbrojtje. Kurse për Kosovën, ekziston nje mekanizëm në bazë të të cilit raporti i forcave të aleancës do të përcaktohet nga gjendja në vend.

“Përsa i takon Kosovës, aleanca do të bëjë një rivlerësim në bazë të nevojave. Nëse shënohet përparim drejt përmbushjes së standardeve, atëherë niveli i trupave do të pakësohet. Kjo nuk është një strategji e tërheqjes nga Kosova, por realizimi i objektivave të caktuar”, thotë zonja Ricardel.

Zonja Ricardel tha se prania e misioneve paqeruajtëse do të varet jo vetëm nga vullneti i popullit të Kosovës por edhe nga misioni i Kombeve te Bashkura atje, nga mënyra e bashkëpunimit midis tyre për një numër çështjesh, që nga krijimi i institucioneve demokratike e deri tek reformat ekonomike.

Takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Stamboll shënon kulmin e një muaji intensiv takimesh ndërkombëtare që filluan me 60 vjetorin e zbarkimit te forcave aleate në Normandi, me takimin e grupit të tetëshes dhe atë të Bashkimit Evropian. Ekspertët ishin optimistë se më në fund duket ka filluar një dialog strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

XS
SM
MD
LG