Lidhje

Presidenti Bush: transferimi i pushtetit-ditë e shënuar për popullin irakian - 2004-06-28


Presidenti Bush tha se transferimi i parakohshëm i pushteti në Irak është një ditë e shënuar për popullin irakian dhe një ditë për shpresa të mëdha. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Paula Wolfson thotë se presidenti Bush foli në Stamboll ku ai po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Natos. Presidenti tha se 15 muaj pas çlirimit të Irakut dhe disa ditë përpara kohës së planifikuar, bota është dëshmitare e një qeverie të re dhe sovrane të Irakut.

"Pas disa dekadash brutale të regjimit terrorist populli i Irakut ka tani vendin në duart e tij",- tha Presidenti.

Por presidenti Bush pranoi se udhëheqësit e rinj irakianë kanë përpara një periudhë të vështirë:

"Ata janë njerëz të fortë dhe të guximshëm. Ata janë kurajozë dhe siç themi ne në Teksas, e mbajnë fjalën. Ata do ta udhëheqin popullin e tyre drejt një të ardhmeje më të mirë. Kjo do të jetë e vështirë për ta dhe do të kërkojë shumë përpjekje."

Presidenti tha se kryengritësit kërkonin të bllokonin transferimin e pushtetit dhe do të vazhdojnë sulmet e tyre drejt qeverisë së re. Ai tha se Iraku duhet të ketë besim tek miqësia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara:

"Ushtria jonë do të qëndrojë atje për sa kohë të kërkohet qëndrueshmëri dhe vetëm në se prezenca e tyre nevojitet dhe kërkohet nga qeveria irakiane",- tha Presidenti.

Presidenti Bush foli pas bisedimeve me kryeministrin britanik Tony Blair, aleatin e tij më të fuqishëm në Irak. Zoti Blair theksoi sakrificën e bërë nga trupat e koalicionit, civilët irakianë dhe forcës së re irakiane të sigurimit. Ai tha se qindra njerëz sakrifikuan deri në pikën e fundit.

"Ata dhanë jetën e tyre në përpjekje për ti dhënë një të ardhme më të mirë popullit të Irakut",- tha kryeministri Blair.

Duke folur me gazetarët pas takimit të tyre kokë më kokë në Stamboll, dy udhëheqësit theksuan se Iraku mbetet në qëndër të luftës kundër terrorizmit. Presidenti Bush përmendi Abu Musab al Zarqawin, një ekstremist jordanez i cili është lidhur me një numër rrëmbimesh, ekzekutimesh dhe shpërthimeve me bombë gjatë javëve para transferimit të pushtetit. Presidenti Bush tha se kryeministri i përkohshëm i Irakut duhet të bëjë atë që duhet për të luftuar kërcënimet.

"Kryeministri Allawi si kreu i qeverisë sovrane duhet të vendosë marrjen e masave të rrepta për t’iu kundërvënë vrasësve brutalë. Detyra jonë është të ndihmojmë në krijimin e forcave irakiane që do të jenë në gjendje t’i luftojnë këta vrasës",- tha Presidenti.

Transferimi i pushtetit në Irak u bë, ndërsa presidenti Bush po merrte pjesë në një sesion publik të takimit të nivelit të lartë të Natos. Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld i kaloi atij një shënim nga këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar, Kondoliza Rajs ku thuhej Iraku është sovran. Presidenti shkroi në letër, "Le të mbretërojë liria!"// lk //

XS
SM
MD
LG