Lidhje

Mbyllet takimi i NATO-s në Stamboll - 2004-06-29


Komunikata përfundimtare e takimit të Stambollit, nuk dha ndonjë mesazh të ri për 3 vendet që aspirojnë të pranohen në raundin tjetër të anëtarësimeve në Nato. Udhëheqësit e aleancës 26-vendeshe ritheksuan se dera vazhdon të mbetet e hapur. Ata thanë se i inkurajojnë këto tre vende që të vazhdojnë reformat e nevojshme për të ecur drejt anëtarësimit.

Gjithashtu, në takim nuk u caktua ndonjë datë për pranimin e këtyre vendeve, gjë që nënkupton se Natoja po tregohet e kujdesshme në mënyrë që tre shtetet të mos e ndërpresin progresin por të vazhdojnë të ndihmojnë për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike Robert Bradke, i tha Zërit të Amerikës se Natoja është serioze në premtimet e saj dhe se këtë ajo e ka treguar në praktikë.

"Këto vende mund të ndjehen të inkurajuara nga praktika e Natos në të kaluarën. Ky është viti i dhjetë i partneritetit për paqe të Natos dhe në këto dhjetë vjet Natoja ka pranuar 10 vende të reja. Pra ne e kemi provuar me fakte se mbetemi të hapur për të tjerët, thotë zyrtari i Departamentit të Shtetit."

Zoti Bradke thotë se në takimin tjetër të nivelit të lartë, ministrat e jashtëm të Natos do të raportojnë mbi përparimin që do të kenë bërë këto vende.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryeministri Fatos Nano shprehu besimin se Shqipëria do të jetë ndër vendet që me siguri do të ftohen për t'u anëtarësuar.

“Ne jemi duke u vlerësuar si grupi i vendeve që, për shkak të bashkëpunimit midis tyre, të shtrirjes së sigurisë euroatlantike në Ballkan dhe të përmbushjes individualisht të standardeve do të ftohen për t’u anëtarësuar,” tha kryeministri Nano.

Por standardet nuk do të jenë të lehta për t’u përmbushur. E kaluara e afërt tregon se Shqipërinë e kaplon here pas here instabiliteti politik. Lufta politike merr nganjëherë ashpërsime të tilla që pengojnë seriozisht progresin ekonomik. Parlamenti vazhdon të jetë hallka më e dobët e institucioneve. Vendi pëballet me një sërë problemesh të mprehta si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Varfëria dhe papunësia krijojnë mungesë perspektive për rininë.

Presidenti Alfred Moisiu, i cili kryeson delegacionin shqiptar në takimin e Stambollit, tha se situata është përmirësuar.

Natoja do të gjykojë për vendet e Kartës së Adriatikut në mënyrë individuale, pavarësisht nga aleancat midis tyre. Dokumenti i takimit të Stambollit linte të kuptohet se 3 vendet nuk është e thenë të ftohen së bashku për t’u pranuar. Kryeministri Nano thotë se nuk shikon ndonjë problem.

“Normalisht aleanca si të gjitha organizatat shumëpalëshe vlerëson përmbushjen e standardeve për secilin vend kandidat. Eshtë një avantazh që produkti është rajonal dhe produkti që del nga bashkëpunimi është më cilësor dhe arrihet më shpejt se sa me partneritete dypalëshe me aleancën,” thotë zoti Nano.

Nuk mbetet veçse të shihet se si do ta vlerësojë aleanca në takimin tjetër të nivelit të lartë ecurinë e Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera ballkanike në rrugën drejt pranimit, e cila do të kërkojë mbi të gjitha reforma, stabilitet politik dhe kontributin e secilit vend për stabilitetin rajonal.

XS
SM
MD
LG