Lidhje

Bush: Liria, e ardhmja e Lindjes së Mesme - 2004-06-29


Një ditë pas transferimit të pushtetit qeverisë sovrane të Irakut, presidenti Bush i bëri thirrje vendeve të tjera në Lindjen e Mesme të përkrahin demokracinë. Ai tha se alternativat janë të qarta.

"Një alternativë është doktrina politike e tiranisë, vetvrasjeve, dhe vrasjeve që janë në kundërshtim me standartet e drejtësisë që predikon Islami dhe çdo fe tjetër. Alternativa tjetër është ajo e një shoqërie të drejtë, ku burrat dhe gratë jetojnë në paqe dhe ndërtojnë një jetë më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre".

Presidenti tha edhe njëherë se nuk ka vetëm një model demokracie. Ai shtoi se vendet e tjera mund të shohin Turqinë si shembull të një vendi me shumicë myslimane me qeveri demokratike që praktikon tolerancën fetare.

“Turqia ka gjetur atë që kanë gjetur vendet e çdo kulture dhe feje: në se drejtësia është synimi, atëherë përgjigja për të është demokracia”.

Fjalimi ishte pjesë e një fushate të ndërmarrë nga presidenti Bush për të nxitur reformat në Lindjen e Mesme. Disa kritikë në rajon e kanë akuzuar presidentin se po përpiqet të imponojë pikëpamjet e tij pa patur respekt për traditat e tyre. Presidenti pohoi se ekziston skepticizëm, por shtoi se idetë e tij janë keqkuptuar.

"Disa njerëz të kulturës myslimane e identifikojnë demokracinë me pjesët më të keqe të kulturës perendimore dhe nuk e duan atë. Unë dua t’i sigurojë ata se kur flas për të mirat e lirisë nuk e kam fjalën tek reklamat e pavlera ose videot e pahijshme që dalin në televizor. Vlerat demokratike dhe vlerat e larta morale nuk përjashtojnë njera tjetrën.”

Presidenti tha se qeveritë e zgjedhura përfaqësojnë popullin e tyre dhe si rezultat çdo demokraci ka strukturën, traditat dhe opinionin e vet. Ai theksoi se Amerika e kupton se duhet kohë që vendet të përmbushin premtimin për demokracinë duke marrë si shembull luftën e gjatë nëprë të cilën kaluan Shtetet e Bashkuara për të hequr skllaërinë dhe eliminuar diskriminimin racial.

"Ne nuk presim dhe nuk kërkojmë që shoqëritë e tjera të transformohen brenda ditës. Por megjithatë në rrugën e gjatë ka vetëm një destinacion për të cilin ia vlen të luftosh dhe kjo është një shoqëri vet-qeverisëse dhe e lirë".

Në ditën e parë të Irakut sovran, presidenti tha se thellimi i demokracisë atje sjell shpresë për reforma në mbarë Lindjen e Mesme dhe shënon një humbje të thellë për ekstremistët dhe terroristët.

"Terroristët kanë mundësinë të shkaktojnë vuajtje dhe fatkeqësi por ata nuk kanë forcën të ndryshojnë rezultatet e arritura në Irak. Bota e civilizuar do të vazhdojë angazhimin e saj. Udhëheqësit e Irakut janë të vendosur dhe populli i Irakut do të jetojë i lirë".

Fjalimi i presidentit shënon fundin e vizitës së tij të parë në Turqi. Ai kishte dy qëllime gjatë qëndrimit të tij: të merrte premtimin nga takimi i nivelit të lartë të Natos për të ndihmuar në stërvitjen dhe furnizimin me pajisje ushtarake të trupave irakiane dhe të fuqizonte lidhjet me Turqinë, vendi i vetëm mysliman në aleancë.

//rd//

XS
SM
MD
LG