Lidhje

Pauëll: gjendja në Darfur ka arritur përmasa katastrofike - 2004-06-30


Milicitë arabe kanë shkatërruar mbi 300 fshatra të zezakëve afrikanë në rajonin perëndimor Darfur të Sudanit. Qeveria sudaneze e nxiti këtë fushatë të spastrimit etnik rreth një vit më parë dhe vazhdon të mbështesë milicitë arabe të angazhuara në këtë fushatë, veçanërisht milicinë Xhanxhavid. Sulmet e milicive arabe kanë lënë të vrarë afro 30 mijë njerëz, shumica civilë. Mbi një milionë të tjerë janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera po dërgojnë me ngut ndihmë humanitare në Darfur si edhe në Çadin fqinj, ku kanë kërkuar strehim më shumë se 100 mijë sudanezë. Por, qeveria sudaneze ka ngritur pengesa të shumta ndaj përpjekjeve për dërgimin e këtyre ndihmave. Nëse në Darfur nuk dërgohet shpejt më shumë ndihmë, thekson Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, më shumë se 300 mijë njerëz mund të vdesin gjatë muajve të ardhsëm nga sëmundjet dhe uria.

Kjo është arsyeja që Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, po vizitn Sudanin. Ai thotë se gjendja në Darfur kaz arritur përmasa katastrofike: “Lejoni vërshimin e lirë të ndihmave, lejoni punonjësit e agjencive humanitare të shkojnë në rajon. Përdorni forcat qeveritare dhe ndikimin politik për t’u dhënë fund sulmeve dhe veproni në mënyrë të prëgjegjshme për të ndihmuar klëta njerëz sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjendja, theksoi Sekretari Pauëll, është aq e rëndë saqë edhe sikur të mund të bënim brenda ditës së nesërme çdo gjë që kërkojmë të bëjmë, atje do të humbin jetën një numër i madh njerëzish për shkak të kushteve të rënda që ekzistojnë atje. ”

Sekretari Pauëll po bashkërendon përpjekjet amerikane në Darfur me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Edhe zoti Anan ndodhet për vizitë në Sudan. Shpresohet se presidenti sudanez, Omar al-Bashir, do ta mbajë premtimin e tij për të çarmatosur milicitë arabe.

Deri tani, thotë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Riçard Bauçer, nuk ka shenja se po ndërmerren veprime në këtë drejtim: “Në fakt, kemi dëgjuar disa të thonë se tani qeveria mund ta tërheq atë deklaratë. Ne i bëjmë thirrje me forcë qeverisë së Sudanit që të përmbushë premtimin e Presidentit al-Bashir për të çarmatosur menjëherë milicitë dhe t’u japë liri të plotë veprimi agjencive dhe organizatave humanitare. Ne, shtoi zëdhënësi, vëmë gjithashtu në dukje se do t’i mbajmë rebelët përgjegjës edhe për armëpushimin.”

“Njerëzit po vuajnë çdo ditë në Darfur, thotë zoti Bauçer, dhe se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të bëjnë ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata.”

XS
SM
MD
LG