Lidhje

Një grup i pazakontë ekspertësh ndihmon në luftën kundër terrorizmit - 2004-06-30


Zyrtarë të qeverisë amerikane zhvillojnë rregullisht takime të fshehta për të diskutuar mbi skenaret e mundshme të sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti Andrew Baroch njofton se qeveria po dëgjon raportin e një ekipi të pazakontë ekspertësh. Filozofë, futuristë, krijues të programeve kompjuterike, muzikantë dhe autorë veprash letrare, me kërkesë të qeverisë amerikane, duhet të paraqesin një skenar sulmesh terroriste. Ky grup takohet në kushte sekrete në selinë e Departamentit të Sigurimit Kombëtar në Washington.

Një anëtar i ekipit imagjinues është Brad Meltzer, i cili shkruan romane intrigash: “Unë shkruaj vepra artistike. Si mund të di unë diçka më tepër se ç’dinë FBI-ja, CIA dhe Shërbimi Sekret”.

Por duket se zoti Meltzer ka një imagjinatë shumë të zhvilluar pasi shkruan përshkrime tepër të hollësishme mbi mënyrën sesi kriminelët dhe terroristët futen në ndërtesat qeveritare. Në një nga subjektet, një personazh zbulon një tunel sekret nën ndërtesën e selisë së Kongresit. Brad Meltzer në realitet e zbuloi ekzistencën e këtij tuneli dhe më pas e përfshiu në subjektin e librit.

“U zvarrita këmbë e duar. Këtë përvojë e përfshiva në librin The Zero Game”.

Kohët e fundit i bëri një telefonatë një zyrtar i Departamentit të Sigurimit Kombëtar. Ai thotë se fillimisht u shqetësua, me mendimin se kishte bërë diçka të parregullt. Por kur mësoi se Departamenti po i propozonte të angazhohej në një grup pune për të krijuar skenare imagjinare, ai tregon se iu bë qefi. Shkrimtari përshkruan një nga takimet: “Përveç meje kishte edhe punonjës të CIAs, FBI-së si dhe ish zyrtarë të këtyre agjencive. Në ekip bënte pjesë edhe një psikolog, si dhe shumë njerëz të tjerë që e shohin realitetin disi ndryshe nga njerëzit e zakontë. Ne uleshim dhe debatonim mbi mënyrat e ndryshme se si terroristët dhe al-Kaida mund të sulmojnë Shtetet e Bashkuara. Më drejtoheshin mua “Po sikur të ishe personi X si mund të përpiqeshe për t’u futur në këtë ndërtesë?”

Diskutimet në Departamentin e Sigurimit Kombëtar ishin sekrete derisa media i njoftoi publikisht. Por qeveria e ka përdorur këtë metodë për një numër çështjesh për vite me radhë.

Frank Cilluffo është profesor i politikave të sigurimit në Universitetin George Washington: “Duhet të angazhosh në debate njerëz me ide të ndryshme, me aftësi të ndryshme dhe këndvështrime të ndryshme. Nëse i përmbahesh vetëm këndvështrimit tënd, do të mbrosh vetëm disa objekte nga disa sulme me disa metoda dhe mjete. Por mund të mos e parashikosh logjikën e kundërshtarit tënd”.

Për të arritur këtë duhet imagjinatë. Zoti Cilluffo kujton se pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, zyrtarët amerikanë thanë se nuk e kishin imagjinuar ndonjëherë që avionë pasagjerësh do të përdoreshin si armë. Por zoti Cilluffo thotë se ky skenar ishte shtjelluar në faqet e një vepre artistike para se të ndodhte në realitet: “Shumë romane në të kaluarën kanë parashikuar forma të ndryshme sulmesh. Ideja është që të arrijmë të imagjinojmë të paimagjinueshmen para se të bëhet realitet”.

Brad Meltzer dhe individë të tjerë krijues tani po përpiqen të mendojnë të paimagjinueshmen, duke përdorur talentin e tyre në një mënyrë të re që do të ndihmojë Departamentin e Sigurimit Kombëtar t’u presë rrugën planeve terroriste. //kk//

XS
SM
MD
LG