Lidhje

Intervistë me Ministrin e Drejtësisë të Shqipërisë Fatmir Xhafa - 2004-07-01


Në Shqipëri Ministria e Drejtësisë përfundoi hartimin e paketës ligjore antimafia. Kjo paketë e cila përmban ndryshime në kodin penal dhe atë të procedurës penale, si dhe prezantimin e ligjeve të reja, synon të jetë një mjet për të goditur më ashpër krimin e organizuar, trafiqet, terrorizmin dhe korrupsionin. Ajo u hartua me ndihmën e drejtpërdrejtë të drejtuesve të antimafies italiane. Prokurori i përgjithshëm i antimafies Pier Luixhi Vinja e ka cilësuar tërësinë e ligjeve të reja si të një rëndësie të jashtëzakonshme. Një nga pikat thelbësore të paketës antimafie lidhet me goditjen e bazës ekonomike të krimit të organizuar nëpërmjet konfiskimit të pasurive të këtij krimi. Kjo paketë pritet të marrë miratimin përfundimar të parlamentit në muajin shtator.

Intervistë e Zërit të Amerikës me Ministirn e Drejtësisë të Shqipërisë Fatmir Xhafa.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa çfarë të rejash sjell kjo paketë dhe çfarë ndikimi pritet të ketë ajo?

Fatmir Xhafa: Së pari, qëllimi kryesor i kësaj pakete që përbëhet nga ndryshimet në Kodin Penal ekzistues, në amendamentet në kodin e procedurës penale si dhe nga një projektligj i posaçëm për masat kundër krimit të organizuar synojnë parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve, terrorizmit dhe korrupsionit. Ato kanë si synim të tyre rritjen e efektivitetit në funksionin e organeve të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera zbatuese të ligjit, trajtimin më bashkëkohor të organizatës kriminale, grupit të organizuar kriminal dhe formave të tjera të bashkëpunimit në krim, përkufizimin dhe dallim më të qartë të elementëve të veprave penale, të krijimit, të organizimit, drejtimit dhe anëtarësimit të organizatave dhe grupeve kriminale në përputhje me Konventën e Palermos, parashikimin e hollësishëm të formave të krimit të organizuar dhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm. Por të rejat themelore që do të përmendja është se ky projektligj synon të parashikojë për herë të parë masa si për personat ashtu edhe për pasurinë, që nënkupton sekuestirmin e konfiskimin e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar, gjithashtu për herë të parë parashikon detyrimin e zotëruesit të pasurive që të vërtetojë dhe justifikojë titullin e ligjshëm, burime financiare konkrete të ligjshe dhe të justifikuara me jetesën e tij, të cilat i ka përdorur për të fituar këtë pasuri. Ndryshe nga rregullat tradicionale që është zbatuar edhe kthimi i barrës së provës edhe tek personat e inkriminuar dhe në veçanti të imlikuar në veprimtaritë e krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa në Shqipëri, sipas analistëve, deri më sot, nuk është mungesa e ligjeve më kryesorja që pengon luftën ndaj këtyre fenomeneve që ju sapo përmendët, por është mungesa e vullnetit politik. Cili është mendimi juaj?

Fatmir Xhafa: Nuk jam plotësisht dakort me ju në mungesën e vullnetit politik, pikërisht sepse vetë hartimi i këtyre ligjeve dhe hartimi në një kohë shumë të shkurtër dhe në parametra të standarteve ndërkombëtare të vlerësuara dhe nga partnerët që na asistojnë në këtë proces, tregon pikërisht për vullnetin politik për të impletuar ligje të këtyre standarteve që japin një impuls të ri luftës kundëpr krimit të organizuar nga organet e drejtësisë dhe strukturat e tjera zbatuese të ligjit.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kritikuar shpesh herë për korrupsion brenda vetë radhëve të tij dhe për paaftësi. A mendoni se këto ligje të reja të rëndësishme do të arirjnë të zbatohen plotësisht pa u përmirësuar më parë vetë sistemi i drejtësisë në Shqipëri?

Fatmir Xhafa: Natyrisht implementimi me efektivitet i ligjeve është i lidhur ngushtësisht edhe me efektivitetin e punës së organeve të drejtësisë. Kjo përbën një nga pikësynimet kryesore të reformës së gjithanshme që është ndërmarë dhe të cilën jemi duke e zhvilluar aktualisht në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë. Pa dyshim që elementë të korruptimit të gjyqtarëve apo prokurorëve të veçantë janë të pranishëm në strukturat tona të drejtësisë si dhe në strrkturat e tjera të shtetit dhe ky është një proces me të cilin duhet të përballet sistemi ynë i drejtësisë. Për këtë arësye një bllok i rëndësishëm amendamentesh në këto ndryshime që kërkojmë të bëjmë janë edhe ato që lidhen me korrupsionin. Amendamentet e propozuara parashikojnë elemente bashkëkohore dhe karakteristikë për format e korrupsionit aktiv dhe pasiv të kryer nga funksionarë publikë, apo në sektorin privat, duke bërë përshkallëzimin sistematik të sanksioneve me burgim, kundër fajtorëve për këto vepra penale, nisur edhe nga lloji dhe natyra e subjektit dhe funksionit politik të shpërdoruar përfshirë dhe dënimin e njëkohshëm dhe me gjobë të tyre. Njëkohësisht është rishikuar edhe përmbajtja e sanksioneve të dënimeve plotësuese që zbatohen ndaj tyre, si për shembull heqja e së drejtës për të ushtruar funksionin publik përkatës.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët se një nga elementët kryesorë të projekt-ligjit të ri është ai lidhur me sekuestrimet e pasurive. Çfarë ndryshon me ligjet e reja, pasi edhe deri tani prokuroria shqiptare po realizon sekuestrime.

Fatmir Xhafa: Kjo përbën pikërisht edhe një nga të rejat që sjell kjo paketë ligjore, pasi në të parashikohen rregulla të imtësishme për procesin e sekuestrimit dhe konfiskimit. Së dyti, siç e thashë edhe më lartë, bara e provës për të vërtetuar pasuri që janë të lidhura apo që rrjedhin nga krimi i organizuar, tashmë nuk i takon vetëm organit të prokurorisë, por i takon edhe vetë personave të dyshuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Ndryshe nga një proces penal i zakonshëm, ligji i ri nëpërmjet procedurave administrative e civile, detyron zotëruesin e pasurive të vërtetojë dhe të justifikojë prejardhjen e burimeve financiare konkrete, si dhe faktin, se këto pasuri nuk kanë lidje apo kontrollohen nga persona të dyshuar si pjesëtarë të krimit të organizuar. Kjo përbën atë që thashë më lartë, që njihet si kthimi i barës së provës edhe tek personat e dyshuar si të inkriminuar dhe në veçanti të implikuar me veëprimtaritë e krimit të organizuar. Përveç kësaj, zgjerohet rrethi i personave dhe në të përfshihen jo vetëm personat e dënuar, por edhe ata të lidhur me një veprimtari kriminale të kësaj natyre.

XS
SM
MD
LG