Lidhje

Alkoholi tek të rinjtë - më e rrezikshëm se sa mendohej më parë - 2004-07-01


Nga një studim i fundit del se përdorimi i alkoholit ka më tepër pasoja negative mbi zhvillimin e trurit se sa mendohej më parë. Madje edhe abuzimi jo rregullisht me alkoholin mund të çojë në dëmtime të pakthyeshme të trurit tek të rinjtë.

Një shqetësim në rritje në Amerikë dhe në vende të tjera është konsumi i alkoholit nga të rinjtë.

Sipas një studimi të ri, mesatarisht, një njeri pi alkohol për herë të parë në moshën 12 vjeçare ndërsa 20 përqind e personave midis 12 dhe 20 vjeç abuzojnë herë pas here me alkoholin.

Në studim thuhet gjithashtu se alkoholi ka më shumë pasoja negative mbi zhvillimin e trurit se sa mendohej më parë. Ja ç’thotë Dr. J. Edward Hill i Shoqatës Mjeksore Amerikane.

"Ekziston miti i përhapur se të rinjtë u rezistojnë mirë efekteve të alkoholit por shkencëtarët tani po arrijnë në përfundimin se e kundërta e kësaj është e vërtetë. Dëmi për trurin është më i madh tek moshat nën 21 vjeç se sa tek çdo grup tjetër i popullatës."

Studiuesit kanë krahasuar imazhet e trurit tek njerëzit e moshave 12 deri në 21 vjeç që abuzojnë me alkoholin me të tjerët që nuk pinë alkohol dhe kanë arritur në përfundime të rëndësishme.

Hippocampusi, një zonë e thellë e trurit që përgjigjet për kujtesën dhe të mësuarit, është rreth 10 përqind më e vogël tek ata që marrin alkohol se sa tek ata që nuk pijnë.

"Truri ynë kalon nëpër transformime të jashtëzakonshme gjatë adoleshencës dhe konsumi i alkoholit gjatë kësaj moshe kritike e dëmton trurin, dëmton disa zona të trurit që kanë të bëjnë me kujtesën, me të mësuarit, zona që ndodhen në thellësi të trurit. Gjithashtu, kjo dëmton zonën frontale të trurit që ka të bëjë me të arsyetuarit, me aftësitë për të marrë vendime. Pra është një dëmtim i konsiderueshëm dhe i pakthyeshëm që mund të sjellë alkoholi gjatë viteve të adoleshencës."

Të rinjtë që përdorin alkohol kanë gjithashtu rezultate të ulta në testet e kujtesës dhe të fjalorit dhe përgjithësisht dalin më keq në shkollë, kanë probleme emocionale dhe bëjnë tentativa për vetvrasje.

"Vendimet që marrin sot të rinjtë për alkoholin ndikojnë në cilësinë e funksioneve të trurit të tyre tani dhe në ardhmen,” thotë doktor Hill.

Sipas studimit, edhe abuzimet e rënda herë pas here me alkoholin e shtojnë së tepërmi mundësinë e dëmtimit të përhershëm të ntrurit tek të rinjtë.

Shoqata Mjeksore Amerikane po u bën thirrje kompanive të reklamave dhe të transmetimeve si dhe politikanëve që t’i venë rregulla industrisë së alkoholit, e cila shpenzon çdo vit miliona dollarë dhe u drejtohet fëmijëve, adoleshentëve dhe moshave të tjera rinore.

XS
SM
MD
LG