Lidhje

Stivëns: zgjedhjet do të jenë shumë të rëndësishme - 2004-07-02


Zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për cështjet e Europës, Kathleen Stephens tha sot në Tiranë se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri janë shumë të rëndësishme dhe mënyra se si ato do të zhvillohen do të shërbejë si një sinjal i rëndësishëm edhe për komunitetin ndërkombëtar. Zonja Stephens ndodhet në Shqipëri në kuadër të një turneu në vendet e rajonit ballkanik. Ajo u takua në Tiranë me autoritetet më të larta të shtetit.

Të gjitha sinjalet që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar përputhen në pikën se zgjedhjet politike në Shqipëri do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen dhe përpjekjet e saj për t’u integruar në strukturat euroatlantike.

Këtë e përsëriti edhe një herë sot zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet e Europës, Kathleen Stephens: "Përshtypja ime është se këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Pritet shumë nga Shqipëria për zgjedhjet që vijnë dhe kjo nuk ka të bëjë me atë se kush do ti fitojë ato. Por mënyra se si do të zhvillohen, jo vetëm ditën e votimit por dhe në ditët e javës para dhe pas votimit, do të dërgojë një sinjal shumë të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar. Në këndvështrimin e qeverisë amerikane – tha zonja Stephens - ajo që do ti bënte zgjedhjet e ardhshme më pozitive se deri më sot është të sigurohet përpilimi i saktë i listës së zgjedhësve, që komisionet zgjedhore të bëjnë punën sic duhet dhe që populli të ndjehet i kënaqur me procesin zgjedhor".

Sipas zonjës Stephens, Shqipëria është në një moment kur duhet të bëjë një kthesë në zhvillimin e saj ekonomik. Ajo vuri theksin te rëndësia e zgjidhjes së çështjes së pronës. Deri në momentin që të jetë zgjidhur do të ketë shumë qytetarë që dëshirojnë të fillojnë bizneset dhe ata nuk dotë jenë në gjendje të fillojnë nëse çështja e pronës nuk do të jetë zgjidhur, shpjegoi ajo.

"Mua më duket se tani keni një mundësi që nuk dotë zgjasë përgjithmonë për ta zgjidhur si cështje. Shqipëria ka arritur në një pikë të caktuar të zhvillimit të saj që është një transformim i jashtëzakonshëm por që tani kërkohet të ngrihet në një nivel tjetër dhe nëse kjo nuk bëhet, një pjesë e energjisë që ekziston dhe e interesit do të humbasë. Dhe e kam parë këtë gjë të ndodhë në vendet e tjera. Kjo varet – tha ajo - nga politikanët, nga qeveria, kompanitë e biznesit dhe nga suksesi i zgjidhjes së çështjeve themelore që e pengojnë atë zhvillim aq të shpejtë sa duhet të këtij vendi".

Zonja Stephens ndodhet në Shqipëri në kuadër të një turneu që ajo ka ndërmarrë në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, përpara se të raportojë para komisionit të çështjeve të jashtme të senatit amerikan për situatën në rajon.//ii

XS
SM
MD
LG