Lidhje

Autorja e një libri për Kosovën parashikon luftë tjetër nëse Perëndimi nuk e rishikon angazhimin atje - 2004-07-02


Në një kohë kur vëmendja e publicistëve dhe autorëve të librave këtu në Shtetet e Bashkuara është e përqendruar tek lufta kundër terrorizmit dhe Iraku, një gazetare ka botuar një libër për luftën e Kosovës. Stacy Sullivan me librin “Nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, rrëfen luftën në Kosovë përmes jetës dhe rolit që lujati një shqiptar i diasporës për të grumbulluar fonde në përpjekjet e Kosovës për të shpëtuar nga regjimi i Millosheviçit. Kolegia Keida Kostreci intervistoi zonjën Sullivan.

Zëri i Amerikës: Si ju lindi ideja për të shkruar këtë libër dhe çfarë shpresoni t’i shtoni bibliografisë për Kosovën dhe Ballkanin me librin tuaj dhe si ju lindi ideja edhe për titullin e librit?

Stacy Sullivan: Në fakt nuk e fillova si libër, por si artikull reviste. Unë fillova të shkruaj për Kosovën në vitin 1998, kur ndodhi sulmi i parë i UÇK-së. Pashë shumë ushtarë nëpër rrugë, me rroba ushtarake amerikane dhe me radiomarrëse të blera në (dyqanin amerikan) Radio Shack dhe mendova që nëse nuk po i mbështeste qeveria amerikane, ndoshta po i ndihmonte diaspora këtu në Shtetet e Bashkuara. Kështu që shkova në (lagjen) Bronx, dhe dikush më tha që të shkoja tek një ndërtues çatish në Brooklyn, Florin Krasniqi, personazhi kryesor i librit. E dija në atë kohë që ai po mblidhte para. Shkrova një artikull për veprimtarinë e tij për mbledhje fondesh. Më vonë, NATO-ja filloi fushatën ajrore në vitin 1999. Ishte një lajm i madh dhe unë kuptova që Florini dhe komuniteti shqiptaro-amerikan kishin luajtur një rol të madh dhe në atë moment e kuptova që kisha material për të shkruar një libër. Sa për titullin, e pata shumë të vështirë ta zgjidhja. Titulli është marrë nga Fan Noli. Kur filloi fushata e bombardimit në Kosovë, pyeta një të ri shqiptaro-amerikan që po shkonte vullnetar për të luftuar pse po shkonte dhe ai më tregoi se këto vargje nuk i hiqeshin nga mendja. Kështu një ditë e vendosa që kështu duhej të titullohej libri im.

Zëri Amerikës: Pikërisht personazhi juaj kryesor siç thatë edhe ju është Florin Krasniqi. A mund ta shpjegoni pak për shikuesit tanë, për dëgjuesit tanë, pse mendoni që Florin Krasniqi kishte një rol kaq të madh në luftën e Kosovës dhe mendoni vërtet se diaspora shqiptaro amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara, mund të kishte fuqinë që të shtynte Shtetet e Bashkuara në një luftë të tillë?

Stacy Sullivan: Nuk është se ata kishin më shumë ndikim të madh politik, megjithëse edhe atë e kanë sepse janë dy organizata lobiste në Shtetet e Bashkuara: Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane që punuan shumë për të siguruar mbështetje për çështjen e Kosovës. Por në të vërtetë ishte UÇK-ja dhe sulmet e saj që i bënë forcat serbe që të hakmerreshin dhe të kryenin akte të tilla aq mizore, saqë Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i toleronin, që sollën ndërhyrjen në Kosovë. Dhe UÇK-ja nuk do të ishte krijuar dot, pa ndihmën e diasporës në Evropë dhe në Amerikë që grumbulluan në Shtetet e Bashkuara rreth 30 milionë dollarë dhe në Evropë më duket po aq, për armët dhe paisjet që i duheshin UÇK-së. Sipas teorisë së kryengritjeve guerrilase, ato duhet të kenë mbështetje popullore, një strehë të sigurt, siç shërbeu Shqipëria për Kosovën, si edhe një burim financimi. Dhe ishin shqiptaro-amerikanët dhe shqiptarët në Evropë, ata që siguruan fondet. Po të mos ishte për UÇK-në sigurisht që nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s. Për këtë arsye, Florini dhe të tjerët që e ndihmuan kishin kaq shumë peshë.

Zëri i Amerikës: Ngjarjet në vitet ’90 në Ballkan ndikuan tek njëra-tjetra, në vendet e tjera të Ballkanit, si për shembull shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe ngjarjet në Shqipëri, apo Serbi, por një nga pikat që ju përmendni në librin tuaj janë ngjarjet në Shqipëri, madje ju thoni që pikërisht ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, ju bindën që vërtet në Kosovë ia vlente ta kërkoje lajmin dhe pikërisht aty e kuptuat që kishte vërtet një lajm me Kosovën dhe me UÇK-në. Pse pikërisht pas këtyre ngjarjeve ju e menduat një gjë të tillë?

Stacy Sullivan: Unë kisha qenë në Shqipëri në vitin 1993-1994. Ndihmoja disa studentë të hapnin një gazetë, dhe disa prej tyre ishin nga Kosova. Ata kalonin kufirin me Kosovën në mënyrë të paligjshme. Pastaj në vitin 1997, ndodhën sulmet e para shumë misterioze në Kosovë. UÇK-ja më parë e panjohur mori përgjegjësinë për disa nga këto sulme. Në atë kohë kur shkova në Kosovë, askush nuk ishte i sigurt as nëse ekzistonte apo jo. Pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri në vitin 1997, ushtria braktisi depot e armëve të cilat u shpërndanë në gjithë vendin dhe atëherë e kuptova që shumë nga këto armë do të shkonin në Kosovë. Pra kushdo që të ishte UÇK-ja, tani ajo kishte mundësinë që lehtësisht të shtinte armë në dorë. Që pas ditëve të para të kaosit në Shqipëri, mund të shikoje, armë që ngarkoheshin në gomerë dhe drejtoheshin nga Veriu. Dhe në fakt vetëm 1-2 vjet më pas plasi lufta në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Tashmë kanë kaluar 5 vjet që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë. Millosheviçi nuk është më në pushtet, por statusi i Kosovës është i pazgjidhur. Ndërkohë vëmendja e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, është më shumë tek terrorizmi dhe Iraku. Si e shikoni ju të ardhmen e Kosovës dhe a mendoni që angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore duhet të jetë më i madh në Kosovë?

Stacy Sullivan: Në fakt më duket e pabesueshme që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, aq të shqetësuara për Kosovën, saqë ndërmorrën një operacion disa miliardë dollarësh për të ndalur spastrimin etnik, po e lënë jashtë vëmendjes. Siç e pamë në mars të këtij viti, popullsia shqiptare në Kosovë nuk është e kënaqur me mënyrën sesi kanë ecur gjërat që atëherë. Asgjë nuk ka ndryshuar. UÇK-ja lindi sepse shqiptarët e Kosovës donin pavarësinë nga Serbia dhe ata luftuan, u bë një fushatë ajrore për 78 ditë dhe në fund të fundit Kosova nuk e fitoi pavarësinë dhe është në një rrugë pa krye prej pesë vjetësh. Dhe kam frikë se nëse Perëndimi nuk e rishikon angazhimin atje, mund të ndodhë një luftë tjetër në rajon dhe kështu mendoj se është pa dyshim në interesin e Washingtonit dhe të Evropës që të angazhohen përsëri në Kosovë dhe të gjejnë një zgjidhje për statusin e saj, përndryshe mund të shohim të njëjtën dhunë që ndodhi në vitet 1998-1999. Për fat të keq që nga sulmet e 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e madhe e botës, kanë qenë kaq e përqendruara tek terrorizmi dhe tek lufta ndaj tij, saqë Kosova nuk ka patur vëmendjen që i nevojitet dhe që meriton dhe në fakt nuk do ta marrë vëmendjen që i duhet, deri të paktën pas zgjedhjeve presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara. Por pas tyre shpresoj që të ketë një angazhim vërtet serioz atje, mbase në fillim të vitit tjetër, në mënyrë që të shmanget një konflikt tjetër në pranverë, stinë kur gjithmonë shpërthejnë konfliktet në Ballkan.

XS
SM
MD
LG