Lidhje

Presidenti Moisiu kthen në parlament ligjin e pronave - 2004-07-03


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu njoftoi sot vendimin e tij për të rikthyer në parlament ligjin e pronave të miratuar gati tre javë më parë. Sipas kreut të shtetit ligji ka nevojë të rishikohet në disa aspekte në mënyrë që të jetë sa më mirë i zbatueshëm dhe të evitojë mosmarrëveshje apo konfikte të panevojshme. Arsyet e vendimit të presidentit Moisiu lidhen kryesisht me disa kompetenca të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të pronave.

Që në deklarimet e tij të mëparshme ndonëse të kufizuara presidenti i Republikës Alfred Moisiu kishte lënë të kuptohej se nuk pajtohej plotësisht me ligjin e pronave. Sot zyra e tij publikoi përmbajtjen e dekretit me anë të të cilit kreu i shtetit i kërkon parlamentit të rimarrë në shqyrtim edhe një herë këtë ligj. Sipas presidentit ligji duhet riparë në disa aspekte me qëllim që të jetë sa më mirë i zbatueshëm dhe të evitojë mosmarrëveshje apo konflikte panevojshme për shkak të mosrregullimeve të plotë dhe interpretimeve të ndryshme që mund t’u jepen atyre.

Në motivimin juridik të vendimit të tij presidenti është ndalur kryesisht në disa nga kompetencat e Komitetit të Pronave. Sipas kreut të shtetit e drejta që i jepet komitetit për të zhfuqizuar vendime të komisioneve vendore e implikon në mënyrë të panevojshme procedurën dhe do ta zgjaste atë, në një kohë ankimet ndaj vendimeve mund të bëhen në gjykatë.

Së dyti sipas presidentit duhet rishikuar dhe e drejta e komitetit të pronave që të verifikojë vendimet e komisioneve që kanë zbatuar ligjet e mëparshme. Sipas tij kjo e drejtë është e panevojshme dhe lë një hapësirë për rivlerësim edhe një herë të proceduarev administrative dhe gjyqësore të ndërmarra nga viti 1991. Kjo thekson presidenti i hap rrugë arbitraritetit i cili mund të ishte me pasoja më të rënda se sa zgjidhjet e paplota deri më tani.

Një pikë e retë e kundërshtuar nga krue i shtetit është edhe mungesa e përcaktimit të procedurave për shkarkimin e e anëtarëve të komitetit të pronave, gjë e cila mund të sjellë interpretime që do të shkaktonin pështjellime të panevojshme politike.

Sipas presidentit Moisiu varianti i miratuar nga parlamenti nuk respekton parime dhe elementë thelbësorë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e OSBE-së. Gjithashtu- thekson ai – një pjesë e forcave politike të cilat drejtojnë një pjesë të konsiderueshme të pushtetit vendor kanë deklaruar mosnjohjen e ligjit dhe angazhimin politik për ta ndryshuar atë në rast të ndërrimit në qeverisje gjë e cila sipas kreut të shtetit cënon integritetin, besueshmërinë dhe hapësirën për veprim të procesit të zbatimit të ligjit.

Presidenti Moisiu i ka bërë së fundi thirrje partive politike që të rigjejnë konsensusin pasi ky ligj deklaron ai duhet të jetë ligji i paqtimit dhe jo i konfliktualitetit.

Vërejtjet e kreut të shtetit janë thuajse në përputhje të plotë më ato që bëri një ditë pas miratimit të ligjit në parlament edhe Osbe-ja. Vërejtje të cilat socialistët i hodhën poshtë duke i konsideruar si të pajustifikueshme dhe të pabazuara.

//rd//

XS
SM
MD
LG