Lidhje

Siguria gjatë Lojrave Olimpike të Athinës - 2004-07-03


Greqia po mobilizon ushtrinë, marinën, rojen bregdetare dhe forcat e policisë këtë javë në një operacion sigurie të jashtëzakonshëm, që ka si synim të parandalojë sulme terroriste për Lojrat Olimpike të Athinës këtë verë.

Në ujrat e detit pranë portit të Pireut, në perëndim të Athinës, kapiteni Elias Smyrnakis manovron me anijen luftarake të Rojes Bregdetare.

Në kuvertë ka një vend për një automatik të rëndë 50 milimetërsh dhe hapësirë për pesë forca speciale greke komando.

Vetëm disa qindra metra më tej, dhjetra policë dhe ushtarë krijojnë një unazë të sigurt përreth.

Kjo është pjesë e planit për të mbrojtur Lojrat e Ardhshme Olimpike nga sulme terroriste, nga toka ose nga deti. Operacioni i sigurisë që pritej prej kohësh ka si qëllim marrjen e masave për të siguruar dhjetra rrugë dhe qindra hotele.

11 mijë policë dhe ushtarë u mblodhën në Athinë këtë javë, si kontigjenti i parë i një dislokimi masiv në gjithë vendin.

Mbërritja e tyre është fillimi i të ashtuquajturit “sigurimi i rreptë” i vendeve ku do të mbahen lojrat olimpike, gjatë të cilave çdo rrugë do të kontrollohet imtësisht për bomba, shumë përpara se të arrijnë atletët dhe spektatorët.

Sipas Ministrit Grek të Rendit George Voulgarakis, mijëra forca sigurie do të jenë të angazhuara. “Në qytetet olimpike, do të kemi 70 mijë persona. Sot kemi sjellë këtu në Athinë 11 mijë dhe gradualisht do të bëhen shumë e më shumë derisa të plotësohet numri përfundimtar. Paralelisht duhet të zbatojmë masat e tjera, sistemet e sigurisë, kamerat, patrullat, të gjitha masat e tjera”.

Dislokimi është penguar nga vonesat nëpër godina, që vazhdojnë të frenojnë përgatitjet për Lojrat.

Kompletimi i vonuar i sistemit të përgjimit dhe rrethimit të perimetrit do të thotë që disa policë tani vetëm po mbrojnë vetëm godina të hapura dhe ku mund të arrihet lehtësisht. Disa ekspertë thonë se për shkak të vonesave mund të mbeten vetëm 72 orë për të kontrolluar stadiumin kryesor për bomba para ceremonisë së hapjes më 13 gusht.

Në kompleksin kryesor Olimpik, ku ndodhet edhe stadiumi kryesor me 75 mijë vende, si edhe pishina e notit dhe velodromi, dhjetra policë dhe ushtarë të veshur në kamuflazh, u mblodhën në portat e tij dhe kështu filloi mobilizimi.

Zoti Voulgarakis thotë se do të duhen disa javë të tjera për t’i marrë të gjitha masat. “Për ne, Lojrat Olimpike fillojnë sot. Masat e sigurisë filluan të vihen në jetë që sot, jo vetëm për personelin e policisë olimpike, por për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë operacion madhor. Dhe gradualisht, ne zbatojmë masat, deri në mes të korrikut, kur të zbatohen të gjitha masat”.

Ka patur shqetësime ndërkombëtare se siguria në Greqi mund të mos jetë në nivelin e duhur për të mbrojtur vijën e gjatë bregdetare nga ndonjë sulm terrorist nga deti, siç ishte sulmi i tetorit 2000 ndaj luftanijes USS Cole në Yemen, që shkaktoi vdekjen e 17 vetëve dhe për të cilin u akuzua al-Kaida.

Pireu do të jetë një nga pjesët më të ekspozuara gjatë Lojrave Olimpike të këtij viti. Mijëra autoritete dhe persona të tjerë të rëndësishëm do të qëndrojnë në të ashtuquajtura hotele lundruese gjatë kohëzgjatjes së lojrave.

Një agjent i posaçëm sigurie në anijen e rojes bregdetare që tregoi vetëm emrin, premtoi se asnjë terrorist nuk do t’i arrinte. “Nëse anijet nuk ndalojnë dhe shkojnë në zonën e kuqe ne do të kërkojmë leje për të luftuar. Nëse do të jetë e nevojshme do të hapim zjarr”.

Siguria është një pjesë e rëndësishme e programit prej 1,2 miliardë dollarësh për të garantuar që gjithçka të funksionojë pa probleme në Lojrat e Para Olimpike Verore, që pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj New Yorkut dhe Washingtonit.

XS
SM
MD
LG