Lidhje

Legjendari i Hollivudit, Marlon Brando - 2004-07-03


Legjendari i Hollivudit, Marlon Brando vdiq të enjten në Los Anxhelos në moshën 80 vjeçare. Fitues dy herë i çmimit Oscar, Brando ishte mjeshtër i interpretimit artistik.

Marlon Brando është vlerësuar si aktori më i mirë i gjeneratës së tij. Brando revolucionarizoi kinematografinë amerikane me interpretime si ai në filmin A Streetcar Named Desire dhe më vonë me personazhin e Don Vito Corleones në filmin Godfather.

Brando fitoi çmimin e parë të akademisë si aktori më i mirë me filmin Waterfront dhe të dytin me Godfather. I rezervuar për jetën e tij private dhe jashtë rrethit të brendshëm të Hollivudit, Brandon refuzoi të merrte vetë çmimin por dërgoi një aktiviste indiane e cila lexoi një letër ku kritikohej Hollivudi për trajtimin e indianëve të Amerikës.

Stili i tij i interpretimit kërkonte që ti afrohej shumë karakterit që portretizonte. Brando nuk lejoi që këto karaktere të bëheshin pjesë e jetës së tij private dhe insistoi të ishte ai që ishte.

Sjellja e tij jashtë skenës ishte e debatueshme ashtu si edhe personazhet që luante. Pesha e tij, romancat e shumta dhe tre martesat, lufta me regjisorët dhe drejtuesit dhe largimi në një ishull të Tahitit, tregojnë karakterin e tij rebel.

Familjen e Brandos e pllakosi tragjedia kur në vitin 1990 djali i tij Christian u dënua për vrasjen e të dashurit të motrës së tij, Cheyenne. Më pas në vitin 1995 ajo vrau veten nga dëshpërimi.

Megjithëse gjithmonë nën shkëlqimin e kamerave, ai refuzonte të bëhej pjesë e Hollivudit.

Admiruesit, kritikët dhe miqtë e tij aktorë e përshkruajnë Marlon Brando si një nga aktorët më me influencë të kohës së tij. Regjisori italian Bernardo Bertolucci e quajti Brando të pavdekshëm, ndërsa aktorja Sophia Loren e cilësoi si një bashkëpunëtor të shkëlqyer. Ndërsa James dhe Robert Duval me të cilët ai luajti në Godfather e përshkruan yllin e Hollivudit me shpirt të madh dhe që frymëzoi shumë aktorë të tjerë.

XS
SM
MD
LG