Lidhje

Irak: Një grup ekstremist pretendon të ketë ekzekutuar me prerje koke një marins amerikan - 2004-07-04


Një grup ekstremist në Irak njoftoi se ka ekzekutuar me prerje koke një marins amerikan të rrëmbyer me prejardhje libaneze.

Grupi Ansar-al-Sunna tha dje se kishte vrarë Wassef Ali Hassounin, i cili kohët e fundit u tregua në televizion me sy të mbyllur dhe me një shpatë mbi kokë. Vrasja e tij nuk është konfirmuar.

Ndërkohë, kryengritësit sulmuan një pikë policore kontrolli në jug të Bagdatit duke vrarë 7 ushtarë të Gardës Kombëtare Irakiane.

Po ashtu dje në kryeqytetin irakian, trupat amerikane gjetën atë që e cilësuan si një fabrikë për prodhimin e makinave bombë, ku 4 automjete po pajiseshin për të shpërndarë eksploziv. Trupat ndaluan më shumë se 50 veta.

Trupat britanike po bëjnë hetime rreth shpërthimit të një naftësjellësi në pjesën jugore të Irakut, por nuk është e qartë në se kanë të bëjnë me një akt sabotazhi.

Ndërkaq, Iraku njoftoi se një zyrtar i lartë i ministrisë së financave, i cili po hetonte njoftimet për korrupsion në programin e Kombeve të Bashkuara Naftë për Ushqim, u vra nga një sulm me makinë bombë në fillim të kësaj jave.

Zyrtarët thanë se Ehsan Karim vdiq të enjten nga plagët që mori prej shpërthimit të makinës bombë në Bagdad. Edhe dy prej truprojeve të tij u vranë nga ky sulm.

Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nuk është e qartë në se shpërthimi kishte lidhje me hetimet e tij.

Zoti Karim ishte në krye të një hetimi rreth pagesave që kompani irakiane dhe të huaja i bënë Sadam Huseinit dhe qeverisë së tij për sigurimin e kontratave prej miliarda dollarësh në bazë të programit Naftë për Ushqim.

//ze//

XS
SM
MD
LG